Komuniteti Mysliman: Projekti i xhamisë ka mbështetjen e qeverisë Rama

Shqipëria

Komuniteti Mysliman: Projekti i xhamisë ka mbështetjen e qeverisë Rama

Më: 9 tetor 2013 Në ora: 11:02

Pas vendimit të djeshëm të Këshillit Kombëtar të Territorit për vijimin e ndërtimit të objektit të kultit në sheshin e Namazgjasë, ka ardhur edhe reagimi i Komunitetit Mysliman.
Në një deklaratë për mediat, Komuniteti mysliman thekson se projekti për ndërtimin e xhamisë gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë “Rama” ndërsa sa i përket shqetësimit për truallin pret një zgjidhje të përshtatshme.

“Nisur nga vendimi i datës 08.10.2013, i marrë nga KKT, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ndjen të nevojshme të sqarojë besimtarët dhe opinionin publik se: sikurse u shpreh edhe Kryeministri Rama në deklaratën e tij, projekti i Xhamisë së Namazgjasë do të vazhdojë dhe gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë. Përsa i përket shqetësimit në lidhje me truallin kemi sigurinë e qeverisë se është menduar një zgjidhje e përshtatshme sipas dispozitave ligjore në fuqi” thekson Komuniteti Mysliman.

VENDIMI

Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e parë të tij nën drejtimin e kryeministrit Rama anuloi vendimin për pjesën e objektit me shumë kate në lartësi dhe disa kate nëntokë pranë xhamisë që do të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, duke i hapur rrugë kështu ndërtimit të objektit të kultit.
KKT vendosi të ndryshojë vendimin e mëparshëm dhe të miratojë lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e “Xhamisë së Namazgjasë”. Por anulohet ndërtimi i godinës polifunksonale (3, 4, 6, 8 kate dhe 3 kate nëntokë) në kryqëzimin e Rrugës “George W. Bush” dhe Bulevardit “Zhan D’Ark”, Tiranë”.
“I hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet gjë veç objektit të kultit”, theksoi gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Edi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat