Takimi “sekret” i Arvizusë në Kryeministri

Shqipëria

Takimi “sekret” i Arvizusë në Kryeministri

Më: 10 janar 2014 Në ora: 18:03

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar sot takimin e parë për këtë vit me kryeministrin Rama.

Takimi, i cili ka zgjatur rreth 30 minuta, është zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, por nuk dihen detajet se për çfarë është biseduar.

Nuk dihet nëse takimi ishte planifikuar më herët apo jo, pasi nuk ka pasur asnjë lajmërim zyrtar, as nga Kryeministria dhe as nga ambasada amerikane.

Ky takim zhvillohet një ditë para se, në Prizren të zhvillohet mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së Hashim Thaçit.

Përgjatë mbledhjes së përbashkët, Shqipëria dhe Kosova pritet të nënshkruajnë nesër deklaratën e Partneritetit Strategjik si dhe disa marrëveshje bashkëpunimi. Sipas axhendës së publikuar sot, dy kryeministrat do të takohen nesër në orën 11:00 në hotel “Theranda”, ndërsa mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të zhvillohet në orën 11:10. Mësohet se mbledhja do të jetë e hapur për mediat, vetëm gjatë fjalës së dy kryeministrave, ndërsa më pas mbledhja do të vijojë me dyer të mbyllura, deri në orën 12:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat