Qeveria “Rama” udhëton me autobus në Prizren, sot mblidhen 2 qeveritë

Shqipëria

Qeveria “Rama” udhëton me autobus në Prizren, sot mblidhen 2 qeveritë

Më: 11 janar 2014 Në ora: 07:49

Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e ngushtë mes dy qeverive e dy vendeve. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, dy kryeministrat, në prani edhe të kabineteve respektive, do të firmosin marrëveshjet e para, pas marrjes së mandatit të qeverisë së re shqiptare. Ministrat e kabinetit "Rama" nisen sot herët në mëngjes, me autobus drejt Prizrenit, për t'u takuar me homologët kosovarë, fiks në orën 11:00.

THACI: TAKIMI, MESAZH EVROPIAN
"Takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është një ngjarje historike, padrejtësisht ndodh për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizionin euroatlantik". Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

"Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, qytetin e historisë dhe të së ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës. Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë. Mesazhin e rajonit me kufij të hapur, pa barriera të së kaluarës”, tha ai.

Kosova dhe Shqipëria do të nisin të shtunën një etapë të re të bashkëpunimit ndërshtetëror. Kryeministrat e të dyja vendeve, të shoqëruar nga ministrat, do të takohen në qytetin e Prizrenit për të mbajtur mbledhjen e parë të përbashkët për këtë vit, ku do të miratohen disa marrëveshje ndërshtetërore.

AXHENDA
Detajet e kësaj mbledhjeje dhe agjendën e saj, bashkë me pikat e rendit të ditës dhe dokumentet e nevojshme i ka akorduar me Qeverinë e Shqipërisë, ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku. Për këtë qëllim, Çitaku ka qëndruar në Tiranë bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, ku janë takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe vartës të tij, për hartimin e përbashkët të konceptit të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.

Çitaku ka bere të ditur se mbledhja e qeverive do të mbahet në një ambient tjetër, ndërsa konferenca për media e dy kryeministrave do të mbahet në një vend tjetër. “Mbledhja e përbashkët e dy qeverive mbahet në Hotel ‘Theranda’, ndërsa konferenca për shtyp mbahet tek ‘Lidhja e Prizrenit’”, ka thënë Çitaku.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka zbardhur sot në mesditë axhendën që do të ndjekin 2 qeveritë që presin të mbajnë mbledhjen.

Rendi i ditës i mbledhjes së parë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

Ditën e nesërme, datë 11 janar 2014, ora 11.00 në qytetin e Prizrenit do të mbahet mbledhja e parë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Pas ceremonisë së hapjes së mbledhjes nga dy Kryeministrat, z. Hashim Thaçi dhe Z. Edi Rama do të vijohet me shqyrtimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili do të nënshkruhet nga dy Kryeministrat.

Mbledhja do te vijojë me shqyrtimin e disa Marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bashkë-financim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës, si dhe jetësimin e bashkëpunimit në rrafshin konsullor ndërmjet dy vendeve tona.

Mes dy Qeverive do të bisedohet për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve, themelimin e Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit.

Në mbledhje do të shqyrtohen dhe projekt-ide për bashkëpunim në fushat e Kulturës, Sigurisë, Energjisë dhe përmirësimit të standardeve te jetesës së shqiptarëve në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat