Berisha: Vrasja e Ilir Karelit, shprehje e albanofobisë

Shqipëria

Berisha: Vrasja e Ilir Karelit, shprehje e albanofobisë

Më: 1 prill 2014 Në ora: 11:52

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, e ka cilësuar absurde vrasjen e Ilir Karelit, shtetasit shqiptar i cili u torturua dhe më pas u vra në mënyrë brutale në burgun e Malandrinos (Greqi). Sipas Berishës ky akt i rëndë është një ndër krimet e radhës që kryhet ndaj emigrantëve shqiptarë.

"Një lajm tronditës vjen nga burgjet e Greqisë. Gardianët grekë kanë torturuar, masakruar dhe i kanë marrë jetën shtetasit shqiptar Kudret Kume, (Ilir Kareli), pasi ky i fundit kishte vrarë një gardian në burgun ku vuante dënimin.

Duke dënuar me ashpërsi vrasjen e gardianit grek në detyrë dhe shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes së tij, unë gjithashtu i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Kudret Kumes dhe dënoj me indinjate të thellë krimin e shëmtuar shtetëror të vrasjes me tortura çnjerëzore të shtetasit shqiptar në qelinë ku ai vuante dënimin.

Ky akt i rëndë kriminal nuk është i izoluar, por është një ndër krimet e radhës që kryhet ndaj emigrantëve shqiptarë në një situatë tejet të rendë për ta, që ekziston në burgjet greke.

Akte të tilla çnjerëzore janë dëshmi e problemeve serioze me të cilat përballen emigrantët shqiptarë dhe janë shprehje e albanofobisë që ushqejnë në vendin fqinj qarqe të caktuara politike, mediatike, zyrtare e jo zyrtare.

I bëj thirrje autoriteteve greke të hetojnë me transparencë dhe paanësi të plotë dhe të ndëshkojnë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi shtetëror dhe të garantojnë të drejtat e të burgosurve pa diskriminim si dhe t’u kundërvihen me forcë akteve albanofobike si akte atavike dhe primitive", ka theksuar Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat