Çështja Doshi! Kush humb, kush fiton dhe çfarë vjen më pas

Shqipëria

Çështja Doshi! Kush humb, kush fiton dhe çfarë vjen më pas

Më: 14 mars 2015 Në ora: 09:08

Në fund mbetet politika. Shqiptarët u përfshinë, prej dy javësh tashmë, në një komplot që mbetet ende i pazbardhur dhe që për 6 muaj gëloi nën nëntokën e politikës duke përfshirë thuajse këdo në elitë. Të gjithë dinin diçka, askush nuk denoncoi, edhe pse tani ankohen se pala tjetër duhej të kishte bërë denoncimin. Dukshëm një pjesë kanë qenë në pritje që gjithçka të shpërthente, një pjesë shantazhonte se do ta bënte këtë, ndërsa ata që tentuan ta mbyllin historinë duke e parë si një trillim nuk patën sukses. Shpërthimi i pakontrolluar ndërkohë në vend që të sillte zbardhjen e skandalit duke i dhënë të drejtë njërit apo tjetrit krah, ka trashur më shumë gjuhën politike në vend me akuza për krime të rënda, që edhe më parë nuk mungonin, ndërsa loja është shtyrë në kufij aty ku duket se vetëm njëra palë mund të fitojë. Gjasat janë që tensionet do të bien në javët në vijim. Hetimet anojnë fort prej bllofit, kjo ndoshta shpjegon edhe arsyet pse opozita ka trashur zërin ndaj prokurorisë, duke vënë në dyshim hetimet dhe kërkuar si garanci për hetime të paanshme dorëheqjen e Metës. Shumica nga ana e saj e ka bërë të qartë se çfarë mendon për çështjen. Përpjekja e saj për të ç’dramatizuar situatën shkoi deri sa të përfshinte zyrtarisht komedianë në axhendën politike dhe madje i mori ata në prokurori, për të treguar se sa qesharak ishte i gjithë ai që shihet prej kundërshtarëve si një prej komploteve më të rënda në historinë e vendit.

Humbja e qetësisë së Metës

Ilir Meta ka rënë prej pozicionit të babaxhanit që paqtonte palët. Në krizën e parë të qeverisë me opozitën për armët kimike, një kohë kur ende djathtas shpresonin për një prishje të Metës me Ramën dhe një rikthim në pushtet me anë të këtij marifeti, ulja e Metës ngjitur me ish-kryeministrin shihej si sinjal shpresëdhënës djathtas. Po ka kaluar kohë që prej atëherë, kur edhe ish-kryeministri Sali Berisha matej në akuzat që lëshonte në Kuvend për të mos prekur ish- aleatin në qeveri me të cilin kishte ndarë shumë. Ilir Meta dukej se ishte pozicionuar fort në këtë lloj podiumi, askush nuk priste që ai të rrëzohej prej aty apo të humbiste peshën politike që kishte për të dyja palët. Sulmi i fundit dhe përqendrimi i gjuhës së ashpër të opozitës ndaj tij duket se është edhe fundi i kësaj paqeje që ai kishte “rregulluar” me opozitën për shkak të viteve të bashkëqeverisjes. Kjo gjuhë e më shumë historia e videos, e dyta në pak kohë, i peshon shumë Metës, që duket se ka dalë tashmë prej pozicionit dhe po përgjigjet po ashtu radikalisht. Ironik është fakti se e gjithë kjo vjen prej socialistëve, edhe pse nuk duket vullnet i tyre. “Një çështje që nisi si një problem brenda Partisë Socialiste, tashmë është shndërruar në një konflikt mes LSI dhe PD, duke e shembur me zhurmë urën imagjinare që mund të lidhte këto dy parti në të ardhmen”, shkruan Armand Shkullaku për Mapon, duke vënë theksin pikërisht në rrëzimin e pozicionit të Metës si paqtues mes palëve. Kreu i Kuvendit tani e tutje do duhet të mbajë peshë prej akuzave të opozitës, që deri tani e kishin mënjanuar duke pasur shenjestër Ramën. Përtej kësaj, pavarësisht versionit hetimor mbi videon, Meta jo vetëm ka humbur pozicionin strategjik dhe ka zbritur në fushë betejën jo fort të pastër të politikës shqiptare, por do i duhet të mbajë mbi vete edhe dyshimin që nuk do shlyhet pavarësisht rezultatit të hetimeve. “Por me dashje ose jo, pozita e re e Metës ngjan e pakthyeshme. Me qëllim ose jo, ai ka ekzekutuar për dy ditë atë që krijoi në dy vjet. Tani kemi një realitet tjetër”, shkruan Shkullaku duke vënë në dukje këtë si humbjen kryesore të kreut të Kuvendit.

Humbja e Doshit

Tom Doshi edhe pse mund të shihet si figurë periferike në politikën e Tiranës të dominuar kryesisht nga “pesha” të rënda të debatit publik, ishte me gjasë një prej zërave më të fortë në bazën e PS në Veri. Kjo nga ana tjetër përfshin gjithë dyshimet që hidhen mbi të. Paratë dhe pushteti përmes tyre është gjithmonë i rrethuar në mos me akuza, për të cilat Doshi thotë që nuk ka, me dyshime të forta. Publikisht, askush nuk e njihte Tom Doshin deputet i socialistëve, i kandiduar në mazhoritar prej Fatos Nanos. As për fitoren në një zonë të vështirë për të majtën kur kjo i humbi zgjedhjet, as për kapërcimin e ylberit ndër të parët dhe kalimin me demokristianët e Nard Ndokës atëherë ministër Shëndetësie. Qartazi ai ishte neglizhuar prej medias edhe pse kjo lëvizje ishte jo pak e dyshimta për sa kohë Doshi zotëronte, ende ka një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në vend. Vëmendja publike për të sidoqoftë ishte e vogël, ndoshta edhe pse në të parën përballje me gazetarët, Doshi vendosi të përgjigjej duke grushtuar kolegun Besar Likmeta që kishte publikuar të dhënat e një diplome false të marrë në Maqedoni. Pa u futur ende në zgjedhjet e reja, Doshi u shkëput zhurmshëm dhe me akuza me Berishën më 2008. Kjo ndodhi kohë pasi Ndoka dhe partia e tij patën humbur “monopolin” mbi Ministrinë e Shëndetësisë. Majtas ai u pranua me mall. Bir plangprishës, por që kthehej për të ndrequr punët. Siç ka pranuar edhe vetë, ai thotë se ka investuar miliona në mitingjet e opozitës dhe ka qenë një prej financuesve kryesorë të fushatave të saj. Zëra të shumicës e akuzojnë madje atë si krahun e fortë të Ramës në grupin parlamentar. Ajo që mbetet e paqartë janë motivet e kësaj përplasjeje të fundit mes tij dhe PS-në, për të cilën ka investuar. Më shumë se kaq, nëse hetimet shkojnë drejt bllofit, motivi i krijimit të kësaj situate mbetet jashtë çdo llogaritjeje të arsyeshme. Përse Tom Doshi duhej të godiste gjithçka që ishte përpjekur të ndërtonte? Por ndërsa vështirë të ketë një përgjigje të qartë për këto, Doshi është humbësi më i madh në një skenar ku e gjithë historia rezulton një tullumbace. E vetmja mënyrë që ai të rigjejë veten në politikë do ishte një kalim i ri djathtas, por me lojën e dekriminalizimit dhe goditjen haptazi nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, Doshi zor se do të gjejë vend lehtë në listat e ndonjë partie; mundësitë për të dalë i pavarur janë po ashtu të vogla. Duhet thënë që bashkë me Doshin në paqartësi futet edhe fati i Mark Frrokut, roli i të cilit në histori është po ashtu i paqartë, edhe pse ai vetë është distancuar publikisht nga implikimi në zbulimin e atentatit me gjithë pretendimet e Doshit se ai ishte njeriu që e kishte informuar. Fundi i hetimeve mund të sjellë kështu edhe fundin e Doshit në politikë edhe pse është herët që ai të shkruhet jashtë loje.

Humbja dhe fitoret e opozitës

Qartazi, përtej faktit që mund të mos pranojë rezultatet e hetimit, opozita nuk duket se mund të fitojë më shumë nga situata se sa mobilizimi në protestën e fundit. Sulmi i saj ndaj njërit krah të shumicës me të cilin ka qeverisur deri pak kohë më parë, nuk është fusha ku atyre u besohet më shumë fjala. Gjasat janë që edhe pse mund ta shtyjnë lojën përtej rezultatit të hetimeve, opozita të dalë e humbur. Në rast se hetimet zbardhin të plotë bllofin, ngarendja e kësaj të fundit dhe teprimi me akuzat dhe komplotin që përfshinte një mori emrash do ta godasë jo pak seriozitetin e saj. Nga ana tjetër duket se protesta e saj e fundit dhe kauza e dekriminalizimit i kanë dhënë një dorë në elektorat, por kjo mund të jetë një thikë me dy presa. Edhe pse shumica ka barrë më të rëndë me emrat e ngarkuar penalisht, as djathtas nuk mungojnë të dyshuarit e shënuarit me rreth të kuq. Ndërsa PD po “i fsheh” të vetët pas akuzave dhe sulmit ndaj mazhorancës, e sigurt është që në një moment do duhet t’i dorëzojë dhe kjo do i barazojë në fushë me shumicën duke ua zbutur atë që ka nisur të duket si luftë e njëkahshme.

Ndërkohë rëndesa që ajo i ka dhënë çështjes në fjalë që rrezikon të jetë një tullumbace, edhe pse kjo do të dalë nga hetimet, do jetë jo pak goditëse për besueshmërinë e opozitës. Kjo e fundit nga ana tjetër do jetë gjithmonë e më shumë e akuzuar prej radikalëve të shumicës si organizatore e trazirave në vend. Edhe më herët PD është akuzuar si forca pas tritoleve apo si nxitësja e dhunës. Në rast se çështja në fjalë, me gjithë investimin e opozitës në të, dështon apo rezulton bllof, ata që shohin të tillë skenarë do të kenë një armë më të fortë kundërakuze.

“Fitorja” e vogël e Ramës

Kryeministri nuk ka preferuar të konsumojë dalje publike për çështjen. Në të pakta herët që ka folur ai ka qenë mjaftueshëm i qetë për ta bërë të besueshme atë që thoshte dhe për të dhënë të kuptohej se nuk kishte asnjë mizë nën kësulë. Dy ditë më parë ai madje shpërndau një video humori me “porosi vrasjesh”, të cilën opozita e përcolli si pjesë shantazhi ndaj prokurorisë, e ndaj së cilës ai u përgjigj po me ironi dhe gallatë. Rama dukshëm nuk ka pasur asgjë për të shqetësuar. Nëse marrim të mirëqena ato që thotë ministri i tij i Brendshëm, askush nuk do vritej dhe Rama ka qenë i qartë për këtë. Dëbimi i Doshit dhe rrahja e shpatullave që mori për këtë nga ndërkombëtarët i kanë dhënë atij pikë në një histori, ku praktikisht të gjithë janë të humbur prej përfshirjes apo mospërfshirjes.

Por përtej kësaj, Rama ka fituar zhvendosjen e vëmendjes së opozitës nga punët e qeverisë dhe përqendrimin e saj në akuzat ndaj aleatit të vogël të shumicës. Kjo shpjegon edhe shumë prej qetësisë së kryeministrit. Ai mbetet sërish në dorë të Ilir Metës sa i përket numrave që i duhen për të mbajtur qeverinë, por armiqësimi i papritur i LSI-së me PD ka prishur “ankthet” nëse ka pasur të tilla për një koalicion të mundshëm Meta-Basha, që qëndronte si “kërcënim” mbi qeverisjen e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat