Ngjela: Pse shqiptarët duan të largohen nga Shqipëria?

Shqipëria

Ngjela: Pse shqiptarët duan të largohen nga Shqipëria?

Më: 14 mars 2015 Në ora: 17:12

Përmes një analize tejet të detajuar, avokati Spartak Ngjela i është rikthyer çështjes "Doshi", por edhe kush do të ishte zgjidhja ideale për të dalë nga ky kaos që ka kapluar.

"Pse shqiptarët po duan të largohen nga Shqipëria-sidomos sot?

Sepse e kanë humbur shpresën se këtu mund të gjejnë një jetë të qetë. Dhe ngjarja e fundit, çështja Doshi, që u zhvillua me nivelin ordiner dhe tepër adoleshent të politikës shqiptare, sigurisht që u'a ka përforcuar përfundimisht këtë ndjenjë. Deputeti Tom Doshi akuzoi me provën e tij përgatitjen që i ishte bërë nga Kryetari i Kuvendit, Meta, për ta vrarë me anë të një, apo dy vrasësve me pagesë. Opinioni publik shqiptar u habit; por u bezdis deri në mërzitje nga mënyra se si u trajtua nga politika aktuale kjo çështje. Çfarë po ndodh kështu sot në Shqipëri? Kjo është pyetja e të gjithëve.

Koha po tregon se ky Kryeministër nuk po bën dot asgjë që shqiptarët të kenë më shpresë se mund të jetojnë në vendin e tyre, me punën e tyre. Europa kërkon reforma, kurse këtu Kryetari i Parlamentit akuzohet për vrasje nga një deputet. Nje ngjarje e rëndë; por e papërgjegjshme për ata që drejtojnë shqiptarët. Gjithkush kërkon të përfitojë nga niveli banal i politikës shqiptare: një Kryeministër që nuk kuptohet se çfarë ane ka mbajtur në këtë çështje; një kryetar Kuvendi që flet përçart, mohues ndaj një akuze për vrasje të një deputeti nga vetë deputeti , sepse është një Kryetar që nuk mund të sillet dot si një burrë shteti, ngaqë s’e kalon dot adoleshencën e intelektit që ka. Një akuzues, që dallon se është më i mençur se i akuzuari; por që askush s'e kupton se përse ky nuk ka hetuar edhe më shumë në heshtje për ta nxjerrë të provuar atë që kërkon të provojë; dhe një prokurori që nuk heton, por vetëm regjistron thënie. Një turp që në fakt, s'ka lidhje fare me drejtimin e shtetit.

Por kësaj i shtohet edhe marrëzia e Sali Berishës, që askush nuk e kupton se çfarë kërkon të fitojë me çështjen Doshi: kërkon vetëm të dalë në skenë, dhe po kërkon “dorëheqjen e Metës që ky të hetohet normalisht”, apo ka si qëllim një destabilizim shoqëror në mënyrë që të përfitojë edhe ky diçka gjatë falimentit të tij politik? Por askush nuk pyet se: kush është Prokurori i Përgjithshëm? Në të njëjtën kohë, shqiptarët panë e po shohin një shfaqje mediokër të drejtuesve injorantë i që drejtojnë me pasionin e pushtetit dhe jo me logjikën zhvilluese të burrit të shtetit. Askush nuk kupton asgjë, por fatkeqësia është për shqiptarët. Ata kanë vetëm një shpresë: të bashkohen me Europën e Bashkuar; për të filluar jeta normale në vendin e tyre. Por BE kërkon reforma, ndërsa Kryeministri i tyre nuk di t'i bëjë ato. Atëherë, përse e duan shqiptarët një kryeministër që nuk di të bëjë reformat që kanë lidhje jetike me të ardhmen e tyre? BE i thotë Kryeministrit shqiptar se duhet luftuar krimi dhe korrupsioni në Shqipëri; kurse këtu, gjithçka zhvillohet nën dirigjimin e krimit. Shefi i opozitës nuk drejton dot, se s'e lë zeri mbytës i Saliut; kurse Kryeminstri nuk bën dot reforma, sepse, për korrupsionin dhe krimin që i duhet të luftojë, kudo i del përpara Meta si Kryetar Kuvendi, i cili është i skeduar nga politika europiane për korrupsion; kurse, në të njëjtën kohë, korrupsioni sot drejton të gjithë pushtein legal në Shqipëri: edhe Prokurorinë edhe Gjkykatën. Siç shihet, Shqipërinë, injoranca që e ka drejtuar dhe po e drejton, e ka futur në një rreth vicioz. Kurse, brenda këtij rethi vicioz, akuzat vinë nga të dyja krahët e politikës.

Por janë vetëm fjalë: Berisha thotë se po drejton krimi në Shqipëri; kurse Rama thotë se e ka rrëzuar krimin. Po kujt i'a thonë këto, europianëve? Pse, këta kalamaj do besojnë politikanët e regjur europianë, që të japin para për reformat në Shqipëri, para, të cilat nuk dihet se ku do të shkojnë? Berishën, politika përendimore e ndëshkoi me izolim financiar, sepse e dinte se ishte i korruptuar, me të gjithë falangën e tij politike. Kurse Kryeminitrit aktual i kërkon të shkatërrojë korrupsionin në Shqipëri. Po si? Askush s’e di. Në të njëjtën kohë, si do të zgjidhet çështja Doshi që ka sjellë një krizë të re të adoleshencës politike shqiptare? Atë nuk e zgjidh dot prokuroria shqiptare. Duhet thirrur domosdoshmërisht FBI-a amerikane. Po si?

Me ligj të veçantë, që duhet të dalë nga Parlamenti shqiptar, me 84 vota. Pse s’e kërkon këtë Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit? Aaa… ja, këtu ngec gjithçka, se këtë nuk e dëshiron edhe Saliu që bërtet gjithë ditën tash dhjetë ditë për “të vërtetën Doshi”. Por, për çudi, hetim ndërkombëtar kërkon vetëm Tom Doshi. Kurajoja e tij tregon se paska të drejtë. Por, a do ta këtë këtë kurajë edhe Kryetari i Kuvendit që akuzohet? A do ta thërresë Meta një hetim ndërkombëtar për këtë çështje? Dhe, më në fund: a do të ketë kurajë Kryeministri shqiptar që të fillojë një hetim ndërkombëtar për korrupsionin shqiptar? A do ta bëjë dot reformën ne Drejtësi dhe në Treg ky kryeministër? Unë them se jo!: Rama nuk e ka kapacitetin e një reformatori. Atëherë? Kështu, ka tepër gjasë që ne, si shoqëri, të vijojmë jetën brenda rrethit vicioz që thashë më lart".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat