PS zyrtarizon Dritan Lelin për Vlorën, sot pritet kandidati për Tiranën

Shqipëria

PS zyrtarizon Dritan Lelin për Vlorën, sot pritet kandidati për Tiranën

Më: 16 prill 2015 Në ora: 07:44

Partia Socialiste është drejt fundit të publikimit të kandidatëve të saj për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kreu i PS-së, Edi Rama, pas një takimi me deputetët e qarkut të Vlorës, zyrtarizoi kandidatët për bashkitë më të mëdha të jugut të vendit.

Kryesocialisti Edi Rama, pas deputetëve të Vlorës, priti në selinë rozë edhe deputetët e qarkut të Gjirokastrës. Gjatë këtyre takimeve u zyrtarizuan emrat e tetë kandidatëve. Kur na ndajnë pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, PS-ja nuk ka bërë ende publik emrin e kandidatit për bashkinë e Tiranës.

Gjatë ditës së sotme, kryesocialisti Rama do t’i japë fund pritjes, duke publikuar kandidatin e mazhorancës për kryeqytetin. Pas sondazheve të kryera gjatë kësaj kohe, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, janë kandidaturat më të diskutuar. Edhe pse nuk priten surpriza për sa i përket kryeqytetit, kreu i PS-së, sot do t’i japë fund dilemës.

Kandidatët për Vlorën dhe Gjirokastrën

Pas takimeve që kreu i PS-së Rama zhvilloi me deputetët e dy qarqeve të jugut Vlorës dhe Gjirokastër, iu dha fund dilemës për bashkinë më të madhe të jugut, Vlorën. Emrat e kandidatëve të bashkive të qarkut Vlorë u bënë publike nga deputetja socialiste e këtij qarku, Valentina Leskaj. “Pas një procesi të gjatë konsultimesh që është bërë për qarkun e Vlorës dhe pas disa sondazheve dhe anketimeve në lidhje me kandidaturat e shumta që ka pasur, u vendos që t’i propozohet tryezës së koalicionit për qytetin e Vlorës, Dritan Leli, për Sarandën, Floriana Koka dhe për bashkinë e Himarës, Jorgo Goro. Këta emra erdhën pas konsultimeve me bazën dhe me strukturat e partisë”, u shpreh deputetja Leskaj.

Kandidati tashmë i zyrtarizuar i së majtës për Vlorën, Leli, mposhti në garën brenda partisë prefekten e qarkut, Etjona Hoxha, dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Vlorës, Arben Breshani. Ndërsa në Himarë, PS-ja do të hyjë në garën e zgjedhjeve të 21 Qershorit me kryetarin aktual të partisë, Jorgo Goro. Himara ka qenë një zonë e nxehtë pasi, aleati i PSsë, PBDNJ-ja e Vangjel Dules, e kërkonte si zonë të lirë për të vendosur kandidatin e saj.

Ndërsa në Sarandë, pas një gare të fortë brenda partisë, u zgjodh kandidatura e Floriana Kokës. Për të arritur tek emri i Floriana Kokës, fillimisht u bë prezantimi i platformave nga të katër kandidatët, përpara strukturave dhe bazës. Ndërkohë, aleati më i madh i PS-së brenda koalicionit të majtë, LSI-ja, në bazë të marrëveshjes së arritur mes Ramës dhe Metës, ka të drejtën e propozimit në dy bashki të qarkut Vlorë, më konkretisht në Delvinë dhe në Selenicë. Partia Socialiste i ofroi PBDNJ-së dhe kreut të saj Vangjel Dule, të drejtën e propozimit në dy bashki minoritare si Dropulli dhe Finiqi.

Për bashkinë tjetër të qarkut të Vlorës, Konispolin pritet të propozojë aleati tjetër i PS-së, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit. Po ashtu, Partia Socialiste zyrtarizoi edhe emrat për qarkun e Gjirokastrës. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, bëri publik kandidatët e këtij qarku. Për Tepelenën socialistët kanë zgjedhur të rifusin në garën elektorale Tërmet Peçin. Në bashkinë e Memaliajt do të kandidojë Durim Rroshi, ndërsa në Përmet rikonfirmohet Gilberto Jaçe.

Në Bashkinë e Këlcyrës, kandidati zyrtar i PS-së është Klemend Ndoni, ndërsa në bashkinë e Libohovës u kandidua Luiza Mandi. Ndërkaq, sipas marrëveshjes së koalicionit me aleatin më të madh, LSI-në, në bashkinë më të madhe të këtij qarku, atë të Gjirokastrës kandidatja e së majtës është prefektja Zamira Rami. Ndërsa menjëherë pas takimeve me deputetet e qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës në selinë e PS-së, Rama iu drejtua kryesisë së Kuvendit ku përreth 60 minuta pati një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, aleatin e tij në qeverisje. Takimi zgjati mbi një orë, ku tema e bisedës u përqendrua tek zyrtarizimi i listës me kandidatët për zgjedhjet vendore. Ky ishte takimi i dytë mes tyre brenda ditës së djeshme, pasi takimi i parë u zhvillua përpara nisjes së takimeve me deputetët.

Milo: Topi, në fushën e PS-së

Kreu i PS-së Edi Rama, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, priti në një takim, një nga aleatët e vjetër, Paskal Milon, kryetar i Partisë Demokracia Sociale. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin mes dy partive për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. PDS-ja është pjesë e koalicionit të majtë, ndërsa Milo kohët e fundit ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk po zbaton marrëveshjen e tyre të firmosur para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, pas takimit me Ramën tha se ai parashtroi kërkesat, por tashmë është PS-ja ajo që vendos. Milo tha se gjithçka varet nga PS dhe se tani “topi” është në fushën e socialistëve.“Gjithçka do të varet nga mbarëvajtja e negociatave në ditët që vijnë. Nuk është çështje kërkesash, është çështje mirëkuptimi si aleatë të vjetër. Në radhë të parë ka të bëjë më vlerat që ka PDS-ja, e cila nuk dëshiron të largohet nga ky koalicion. Por kjo nuk varet nga ne, por nga partnerët tanë socialistë. Që nga zgjedhjet qendrore ne nuk jemi trajtuar si partnerë historikë”, tha Milo. Sipas tij, Rama mirëkuptoi një pjesë të sugjerimeve. “Jemi në proces me qëllim që të mund të arrijmë të bashkojmë forcat. Kjo nuk varet nga PDS, por mënyra se si PS do përgjigjet. Topi është nga ana e PS. Të gjitha alternativat janë të hapura”, deklaroi Milo.

LSI zyrtarizon 15 kandidatët e saj për zgjedhjet vendore

Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë mbledhjes së kryesisë së saj në kuadër të zgjedhjeve vendore zyrtarizoi kandidatët për 15 bashki, që do të drejtohen nga kjo forcë politike, në kuadër të koalicionit të majtë. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në përfundim të mbledhjes shpalli zyrtarisht kandidaturat e kësaj partie. “Kandidatët tanë do të jenë me dinjitet dhe fushata jonë do të jetë transparente. Bashkë me kandidaturat tona, që do t’i paraqiten koalicionit, u përcaktua edhe programi elektoral”, deklaroi Vasili.

Kështu në Kukës do të rikandidojë kryetari aktual Hasan Halili, po kështu edhe kryetari aktual i Lezhës Viktor Tushaj. Në bashkinë e Prrenjasit do të kandidojë deputetja Miranda Rira. Për bashkinë e Beratit do të kandidojë kryetari i Këshillit të qarkut, Petrit Sinaj. Selfo Kapllani është kandidat i koalicionit të majtë që do të garojë në bashkinë e Kuçovës. Në qytetin e Skraparit do të rikandidojë Nesim Spahiu, i cili kërkon një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie. Në Pogradec, LSI zgjodhi të kandidojë arkitekten Diana Mile, ndërsa në Gjirokastër kandidon prefektja Zamira Rami. Kandidaturat e tjera të LSI-së janë për Mallakastrën, Shyqyri Kapllani, për bashkinë e Kolonjës, Arben Malo dhe për Delvinën, Rigels Balili. Ndërsa për bashkinë e Bulqizës kandidat do të jetë Meleim Damzi, për Cërrikun, Altin Toska, në Vorë, Luan Sallaku dhe në Selenicë, Kasëm Cenaj.

Më herët në fjalën e tij para kryesisë, Meta e vuri theksin tek risia që sipas tij sjellë mbajtja e zgjedhjeve lokale me reformën e re administrativo-territoriale. Kjo, sipas tij, do ta shkëpusë pushtetin vendor nga vartësia politike. “Reforma territoriale do të sjellë një qetësi të re dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Për herë të parë pushteti vendor do të jetë real, konkret dhe krijues për t'i sjellë zhvillim komuniteteve”, tha Meta. Një tjetër risi do të jetë barazia gjinore, e cila sipas tij do të jetë e pranishme në çdo këshill bashkiakë. “Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme, sepse do tregojnë vullnetin e mazhorancës për të respektuar votën e qytetarit. Vota e qytetarit është më e rëndësishme se rezultati, ndaj këto zgjedhje do të jenë pozitive për të gjithë”, tha Meta.

1- Kukës Hasan Halili

2- Lezhë Viktor Tushaj

3- Përrenjas Miranda Rira

4- Berat Petrit Sinaj

5- Pogradec Diana Mile

6- Mallakastër Shyqyri Kapllani

7- Kolonjë Arben Malo

8- Skrapar Nesim Spahiu

9- Delvinë Rigels Balili

10- Gjirokastër Zamira Rami

11- Bulqizë Melaim Damzi

12- Cërrik Altin Toska

13- Vorë Luan Sallaku

14- Kuçovë Selfo Kapllani

15- Selenicë Kasëm Cenaj

Gjinushi, debate me KQZ-në: Ka falsifikuar vendime

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, pas shumë vitesh largohet nga koalicioni i majtë. Kreu i PSD-së u shpreh se do të garojnë të vetëm në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Gjinushi denoncoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për falsifikim të vendimit të tij për kandidimin e këshilltarëve. “Me PS-në kemi pasur komunikime, por duke parë që në këto dy vite nuk ka asgjë serioze, kemi preferuar që për këshilltarët do të luftojmë vetë. PSD-ja kandidon e vetme, e hapur për aleatë”, tha Gjinushi. Gjatë deklaratës, Gjinushi kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet kryesisht për falsifikimin, që sipas tij ka bërë KQZ. Falsifikimi, sqaron Gjinushi, ka të bëjë me një paragraf për kandidimin për anëtarë të këshillave bashkiakë. “Në Kod thuhet se partitë, që kanë qoftë edhe një këshilltar në këshillat bashkiakë, nuk e kanë të nevojshme të mbledhin firmat për kandidatura. KQZ e ka fshirë këtë vendim”, tha ai. Më tej, kreu i PSD-së shtoi se, partia që ai drejton do të kërkojë votat në këshilla bashkiakë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ktheu përgjigje kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili denoncoi se, është falsifikuar një vendim për kandidimin në këshillat bashkiakë.

“Ftojmë çdo subjekt të interesuar që, në lidhje me çfarëdo pakënaqësie apo mosdakordësie me vendimmarrjen e KQZsë, t'i drejtohet Kolegjit Zgjedhor, duke ndihmuar kësisoj që procesi të qëndrojë brenda hapësirave institucionale, pa u bërë pre e ekseseve apo interesave të vogla politike”, theksohet në një deklaratë të KQZ-së. Ky institucion thekson se ka zbatuar dhe zbaton me përpikmëri e profesionalizëm maksimal Kodin Zgjedhor, me të gjitha ndryshimet, si dhe legjislacionin tjetër në fuqi, me impakt në zgjedhje. “Në zbatim të kompetencave të njohura nga ligji, KQZ, si organi kryesor në administrimin e procesit zgjedhor, prodhon vazhdimisht akte nënligjore, të cilat detajojnë formulat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe i’u shërbejnë Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, por edhe organeve të tjera në hierarkinë institucionale, për të realizuar një proces konform ligjit e Kushtetutës”, theksohet më tej në deklaratën e KQZ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat