Bushati: Vizita e kancelares Merkel në Shqipëri, historike

Shqipëria

Bushati: Vizita e kancelares Merkel në Shqipëri, historike

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:35

Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton të mërkurën e ardhshme nis një turne në rajonin e Ballkanit. Ndalesa e parë do të jetë në Shqipëri, për të vijuar më pas me Serbinë dhe Bosnjën. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati e vlerëson këtë vizitë si të një rëndësie historike jo vetëm për vendin e tij, por dhe rajonin e të ardhmen e tij. Në Tiranë Merkel do të marrë pjesë dhe në forumin ekonomik me sipërmarrës nga të dy vendet.

Zoti Ministër, pas pak ditësh në Tiranë pritet vizita e kancelares gjermane Angela Merkel, një prej udhëheqësve kryesorë evropian. Çfarë domethënie ka kjo vizitë?

Së pari është vizita e parë dypalëshe, apo vizita e parë e një kancelari gjerman në Shqipëri, sepse ajo e kancelarit Shrëder ka qenë në kuadër të krizës në Kosovë. Është takimi i tretë që do të zhvillohet ndërmjet kancelares gjermane dhe kryeministrit Rama. Në këtë kontekst vizita e kancelares gjermane në Tiranë merr një rëndësi historike, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalësh por dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit evropian. Është një vizitë e cila do të ketë në qendër të vëmendjes jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe në planin politik, ekonomik apo çështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon, duke qenë se kancelarja do të vizitojë dhe Serbinë dhe Bosnjën pas Shqipërisë.

Çfarë domethënie ka për rajonin një vizitë e tillë?

Së pari, Gjermania në planin evropian konsiderohet si kontributorja kryesore në rajon gjatë këtyre 25 viteve. Së dyti, është evidente fuqia transformuese që Gjermania ka në rajon, roli i saj i shtuar, aq më shumë gjatë viteve të fundit, kur nga njëra anë duket sikur kemi një ngadalësim të proceseve të zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në disa raste kemi një vëmendje deri diku sporadike ndaj Ballkanit Perëndimor duke e konsideruar këtë tashmë një histori gati të mbyllur, një histori suksesi. Nga ana tjetër, Gjermania, e cila duket se e ka kuptuar shumë qartë rëndësinë gjeoekonomike dhe gjeostrategjike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, kërkon një angazhim edhe më kapilar edhe më të strukturuar, për të ngushtuar hendekun që ekziston sot për sot mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

Është po Gjermania e cila është investuar në rrugë diplomatike dhe politike për të lehtësuar dhe ndihmuar proceset e ripajtimit që kanë nisur në Ballkanin Perëndimor. Dhe është po Gjermania, e cila vjet, me iniciativën e kancelares Merkel, dizenjoi një program për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo si zëvendësues ndaj rrugës apo procesit të integrimit evropian, por si ndihmues duke pasur parasysh gjithnjë nevojat me të cilat përballet rajoni ynë, mungesën e ndërlidhshmërisë, mungesën e komunikimit të plotë, mungesën e një bashkëpunimi rajonal të zhdërvjellët. Dhe shohim që pikërisht në këto fusha, të gjitha vendet po përpiqen të bëjnë progres, falë edhe mbështetjes gjermane.

Sa realiste janë shpresat e vendeve të rajonit ndaj këtij angazhimi të Gjermanisë, për mbështetjen financiare që rajoni i Ballkanit kërkon për infrastrukturën, ndërlidhjen…

Besoj se duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe shumë të sinqertë me qytetarët shqiptarë. Ne nuk po presim një thes me para në kuptimin figurativ të fjalës, nga Gjermania. Ne do të duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë një më një. Ne shpresojmë dhe dëshirojmë të përfitojmë në radhë të parë nga kultura e punës gjermane, nga kultura e të bërit biznes, nga mënyra se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet me njëritjetrin në rajon, falë mbështetjes gjermane, falë eksperiencës që Gjermania ka në këtë proces. Dhe ne gjithashtu, shpresojmë që të kemi një vëmendje edhe më të shtuar gjermane për të zbatuar një më një të gjitha ato çështje për të cilat ne kemi rënë dakord vjet në konferencën e Berlinit, dhe të shkojmë në konferencën e Vjenës që do të jetë në vetëm pak javë, me një paketë të plotë projektesh për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, dhe shpresoj jo në të ardhmen e largët.

Sa është e gatshme Shqipëria të ofrojë garanci dhe siguri për investimet gjermane dhe praninë e kompanive serioze gjermane?

Ky është një proces në të cilin ne jemi të dedikuar plotësisht. Është një proces i vështirë sepse kërkon një vullnet të hekurt politik, kërkon ndërtimin e institucioneve të forta demokratike, institucioneve ligjzbatuese të cilat kanë një përgjegjësi në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos investimeve gjermane. Disa punë të mira janë bërë në këtë drejtim, edhe me inaugurimin e Parkut të Biznesit, edhe me takimin e madh të biznesit që do të organizohet në praninë e kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama. Po punohet me palën gjermane në sektorë strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit, siç është telekomunikacioni, energjia apo portet dhe aeroportet. Dhe ne do të shpresonim dhe do të dëshironim që të punonim në hapjen e shtigjeve të reja për të mundësuar një prani edhe më të madhe të kompanive gjermane këtu. Dhe për të bërë biseda dhe aktivitete më të strukturuara, siç dhe kanë nisur, me landet gjermane, sepse dihet pesha e tyre dhe interesi për të qenë të pranishëm në këtë pjesë të Evropës.

Ambasadori gjerman

Kancelaria gjermane Angela Merkel do të pritet miqësisht gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Bindja për një pritje të tillë këtë herë shprehet nga ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman. “Për mua dhe shumë shqiptarë vizita e kancelares Angela Merkel pas pak ditësh në Shqipëri është një gëzim i madh. Që ajo do të pritet në mënyrë mjaft miqësore nuk ka asnjë dyshim për mua, me aq sa e njoh unë qëndrimin tejet pozitiv të Shqipërisë kundrejt Gjermanisë dhe vlerësimin e veçantë për zonjën kancelare”, - u shpreh dje Hoffman.

Deklarata e tij u bë nga Korça ku moti pjesë në ceremoninë përkujtimore të martirëve të Borovës, ku forcat naziste gjermane vranë 107 civilë si reprezalje pas sulmit nga partizanët në korrik të vitit 1943. “Nëse arrijmë të jemi realisht të qartë për këtë gjë, atëherë të gjithë ne që jemi mbledhur sot këtu në Borovë në këtë ceremoni përkujtimi mund të kuptojmë se sa shume rrugë kanë bërë së bashku gjermanët dhe shqiptarët, rrugë në të cilën dëshirojmë të vazhdojmë të ecim bashkarisht dhe të vendosur edhe në të ardhmen”, - deklaroi ambasadori gjerman.

Ndërkohë katër ditë para nisjes së turit të saj në Ballkan, kancelarja gjermane Angela Merkel dha një video-mesazh, duke iu drejtuar vendeve të Ballkanit. “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë anëtarësimi në BE”, - tha Merkel. Sipas saj, pavarësisht vështirësive, ka përparim. Në lidhje me Shqipërinë, kancelarja tha se ka ende shumë punë për të bërë, por vendi është tani vend kandidat për në BE. “Edhe për Shqipërinë mund të thuhet se kemi bërë progres, por ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”, deklaroi Merkel. Ditën e mërkurë më 8 korrik, Merkel pritet të shkelë në territorin shqiptar, ku do të qëndrojë për rreth 4 orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat