Forumi ekonomik, Merkel: Të gatshëm të investojmë, por me një terren ligjor të sigurt

Shqipëria

Forumi ekonomik, Merkel: Të gatshëm të investojmë, por me një terren ligjor të sigurt

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 17:38

(E plotësuar)- Investitorët gjermanë janë të gatshëm të investojnë në Shqipëri, por vetëm nëse terreni ligjor është i sigurt dhe mbron investimet e tyre. Kështu është shprehur pasditen e sotme kancelarja gjermane Angela Merkel ndërsa ka marrë pjesë në forumin ekonomik që u mbaj në Tirana Biznes Park ku merrnin pjesë biznese gjermane dhe shqiptare.

Nga ana tjetër, kancelarja Merkel falënderoi për mikpritjen kryeministrin Rama dhe gjithë popullin shqiptar, duke shtuar se marrëdhëniet e mira mes qeverive duhet të pasqyrohen me marrëdhënie të mira mes njerëzve, ku bëjnë pjesë edhe ato ekonomike.

Merkel: Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, por jo në mënyrën e azilkërkimit

“Është për mua një kënaqësi e madhe që ndodhem sot në Shqipëri, në Tiranë. Dëshiroj t'ju falënderoj z. kryeministër në mënyrë të veçantë por edhe të gjithë kolegët tuaj për pritjen kaq miqësore. Gjermania ka një interes të qëndrueshëm në ngritjen dhe në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike. Nëse sot shikojmë vëllimin tregtar bëhet fjalë për një shifër prej 218 milionë eurosh. Ekonomia gjermane është e gatshme të investojë nëse ka përshtypjen se lëviz dhe investon në një terre n të sigurt, të sigurt për nga pikëpamja ligjore. Sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, por kushtet për rekrutimin e kësaj fuqie punëtore duhen qartësuar ndoshta më mirë. Rruga e azilkërkimit nuk është një rrugë e cila funksionon," tha kancelarja Merkel.

Ajo shtoi se Gjermania ka si shtyllë të dytë dhe mjaft të rëndësishme, formimin profesional, dhe se kjo do të krijonte mundësi tek të rinjtë shqiptarë, të cilët mund të kovertojnë diplomat apo të kryejnë praktikë në Gjermani.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë kryeministria Rama theksoi se investimet Gjermane në Shqipëri janë të mirëpritura. Ai u shpreh se këto investime krahas të ardhurave sjellin edhe një kulturë të re menaxhimi.

Megjithatë Rama theksoi se Shqipëria është ende në luftë për të ndryshuar imazhin që është krijuar tek investitorët e huaj.

Rama: Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por jemi ende në luftë me imazhin

"Shifra e subjekteve gjermane apo atyre me kapital të përbashkët, të regjistruara në Shqipëri, është pakrahasimisht e vogël në raport me dëshirën tonë, por besoj edhe me potencialin tonë për ta përmbushur këtë dëshirë në këtë drejtim. E tillë është edhe shifra e volumit tonë tregtar me Gjermaninë, edhe pse Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për me vite të tëra, si edhe po ashtu, me korrupsionin në drejtësi, që përbën një kancer të vërtetë në organizmin e shtetit shqiptar. Kapërcimi i 4 0 shkallëve në raportin e Bankës Botërore për Doing Business, qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë, arritjet e konsiderueshme në luftën kundër krimit, reforma rrënjësore dhe e suksesshme në fushën e energjisë, si edhe ndalimi i epidemisë së ndërtimeve pa leje, kanë pasur efekt pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë, edhe për rritjen e besimit të investitorëve tek Shqipëria", tha Rama në forumin ekonomik.

Kryeministri shqiptar shtoi se brenda pak javësh do të hyjnë në fuqi ligji i ri i investimeve strategjike dhe ligji i ri për turizmin që, së bashku me paketën e re ligjore të energjisë, përbëjnë një platformë të re mbështetjeje për investimet e huaja direkte në Shqipëri./E.Duraj/

Rama dhe Merkel në “Tirana Business Park”. Kryeministri: Qasje të re ndaj investitorëve

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama kanë marrë pjesë pasditen e së mërkurës në forumin ekonomik të mbajtur në “Tiranë Business Park”, në Vorë.

Në fjalën e tij, Rama e ka vënë theksin tek rëndësia e investimeve gjermane në vendin tonë, duke i drejtuar një falenderim të veçantë familjes Lindner.

“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. Falenderoj familjen Lindner për investimin e saj. Përmes një investimi prej 100 milionë eurosh vjen në Shqipëri një copë Gjermanie. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tonë. Kancelarja Merkel e kupton më mirë se kushdo tjetër vështirësinë e shoqërive të reja europiane për t’u përshtatur me kulturën e punës”, ka thënë Rama.

Rama ka nënvizuar vullnetin e tij për të ndryshuar qasjen e shtetit shqiptar kundrejt donatorëve, që shpesh herë kanë mbetur të zhënjyer në Shqipëri.

“Donatorët kanë investuar një sasi parash në sistemin e ujit të pijshëm dhe vaditjes, por në të shumtën e herëve paratë kanë shkuar dëm dhe donatorët kanë fajësuar palën shqiptare”, ka thënë Rama.

“Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer”, ka shtuar kryeministri.

Ai ka shtuar se pas pak javësh do të hyjë në fuqi ligji për turizmin, që bashkë me platformën në energji, përbën një nxitje të re për investimet e huaja në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat