PD: Sajmir Tahiri s’mund të hetohet pa dhënë dorëheqjen si ministër

Shqipëria

PD: Sajmir Tahiri s’mund të hetohet pa dhënë dorëheqjen si ministër

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 20:01

Partia Demokratike reagoi përmes një deklarate në lidhje me kërkesën që ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri i ka drejtuar Kryeprokurorit Adriatik Llalla për të hetuar akuzat e hedhura ndaj tij për lidhjet me trafikun e drogës.
“Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri për akuzat tronditëse ndaj tij, përsa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër i Brendshëm është në ortakëri me Habilajt e Shullazët. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër e Brendshëm therret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm dhe autoritete të tjera të hetimit. Vetëm largimi i tij nga detyra dhe asistenca e ekspertëve të kualifikuar auroatlantikë, sigurojnë kushtet për një hetim të plotë dhe objektiv. Akuzat janë më të rëndat për një ministër të brendshëm dhe provat e faktet e lidhjes së tij me bandat e trafikut të drogës janë bërë publike.
Mjetet e tij private, makina dhe skafi janë përdorur nga bandat e trafikut të drogës, dhe këta trafikantë kanë imunitet, policia nuk i ndalon, ata lëvizin lirshëm dhe ushtrojnë lirshëm aktivitetin kriminal.
Prova dhe fakte për këto akuza tronditëse, e sërish Tahiri nuk mban përgjegjësi, madje dhe mashtron, si sot në parlament kur tha për avionin tjetër me drogë të nisur nga Shqipëria që u kap në vendin fqinj, se mjeti po lëvizte brenda për brenda Italisë. Por policia italiane e përgenjështroi duke konfirmuar se avioni ishte ngarkuar dhe ishte nisur nga Shqipëria. i diskredituar publikisht, nën akuzë për drejtimin e trafikut të drogës, ai ka guximin të shkojë në Prokurori, për të kërkuar çertifikatë virgjërie. Nuk ka gomone shpëtimi për këtë ministër të zhytur në trafikun e drogës. Duhet të largohet nga detyra menjëherë, e të bëhet subjekt i drejtësisë”, theksohet në deklaratën e PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat