Klosi në Fier: Rriten me 40%‏ të regjistruarit në shkollat profesionale

Shqipëria

Klosi në Fier: Rriten me 40%‏ të regjistruarit në shkollat profesionale

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 17:19

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ministri Blendi Klosi ka nisur sot nga Fieri një tur inspektimesh në të gjitha shkollat profesionale për të qenë gati për të pritur nxënësit që kanë zgjedhur të ndjekin arsimin profesional, si një zgjidhje që nesër do t’u japë një zanat dhe një punë të denjë.

I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ministri Klosi ka qenë në shkollën e mesme profesionale “Rakip Kryeziu”, ku kanë parë nga afër kushtet që ofron kjo shkollë, klasat, laboratorët, konviktet dhe bazën materiale për kryerjen e praktikës në fushën e agrobiznesit dhe të veterinarisë.

Në fjalën e tij, ai ka vlerësuar punën e kryer deri më tani me krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit, ndërsa ka theksuar se falë reformës që ka ndërmarrë qeveria dhe ndarjes së profileve në arsimin profesional, në këtë shkollë për herë të parë është shënuar një numër rekord regjistrimesh pre 200 nxënësish.

“Mësova nga drejtori i shkollës së në vitin shkollor 2012-2013, numri i nxënësve të regjistruar në degët Agrobiznes dhe Veterinari ishte vetëm 7 nxënës. Çka praktikisht ka bërë që këtë vit shkollor në këtë shkollë të mos ketë vit të tretë. Ndërkohë që reforma që kemi ndërmarrë në këto dy vite, por edhe përfshirja e biznesit në administrimin e shkollave tona profesionale kanë rritur interesin e të rinjve për të ndjekur edhe profile plotësisht bujqësore. Ndaj sot, ne në këtë shkollë kemi të regjistruar në vit të parë afro 200 nxënës”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Ndërkohë që ai ka bërë të ditur se vëmendja e të rinjve, por edhe e prindërve për t’i orientuar ata drejt shkollave profesionale tashmë është një fakt. Kjo pasi siç bëri të ditur ministri, në vetëm 11 ditët e para të regjistrimit në shkollat profesionale është parë një rritje e përgjithshme me 40 për qind, krahasuar me dy vite më parë.

“Reforma që ne kemi nisur për të përfshirë biznesin në drejtimin e shkollave, aplikimi i sistemit dual ku 50 për qind e kohës së shkollës kalohet në klasë dhe 50 për qind në praktikë, pranë një biznesi të caktuar, por edhe bashkëpunimi me partnerët e huaj, kanë bërë që të kemi një rritje të ndjeshme të atyre që ndjekin arsimin profesional. Këtë vit numri i të regjistruarve për herë të parë ka pësuar një rritje me afro 40 për qind, krahasuar me dy vite më parë”, tha Klosi ndërsa vuri në dukje se po synohet që në bashkëpunim me shtete model të arsimit profesional, si Gjermania, Zvicra, Austria dhe Italia, të mund të bëhet binjakëzimi i afro 15 shkollave, për t’i kthyer ato në shkolla të ekselencës.

Ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka siguruar mbështetje për stafin e shkollës, duke bërë të ditur se ka në projekt disa investime që do të rrisnin peshën e shkollës dhe do të ndihmonin në përgatitjen më të mirë të nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat