Nikolla: Për herë të parë, 76 mijë nxënës do të mësojnë me tekstet e reja

Shqipëria

Nikolla: Për herë të parë, 76 mijë nxënës do të mësojnë me tekstet e reja

Më: 13 shtator 2015 Në ora: 14:27

Një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka uruar të gjithë nxënësit që nesër do të fillojnë mësimin, në veçanti ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Ju përshëndes së pari ju 30 mijë vogëlushëve që zemra ju rreh fort me padurimin e pritjes së ziles së parë të shkollës. Për herë të parë këtë vit shkollor 76 mijë nxënës do të mësojnë me tekste të reja të klasës së parë dhe të gjashtë, botime të emrave të mëdhenj siç janë “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson””, shprehet Nikolla në deklaratën e saj.

Numri një i Arsimit theksoi se shkolla do të vijojë të mbetet larg ndikimit të politikës dhe emërimet e mësuesve do të bëhen vetëm në bazë të meritës.

“Ndonëse 2015 ishte një vit elektoral, shkolla për herë të parë mundi të mbetej e papolitizuar. Asnjë mësues apo nxënës nuk u detyrua të mbushte sheshet e takimeve politike. E bindur jam që kemi ende për të bërë, por shumëfish e vendosur për të larguar politikën nga shkolla, duke ndërtuar një sistem transparent emërimesh bazuar në meritë”, tha Nikolla.

Ministria e Arsimit bën të ditur se fillimi i vitit të ri shkollor shënon përfundimin e rikonstruksionit në 44 shkolla dhe ndërtimin e 18 të tjerave të reja.

14 shtatori hap dyert e shkollave për 500 mijë nxënës. Në klasat e para janë regjistruar gjithsej 30 mijë nxënës, të cilët do të studiojnë me tekstet e reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat