Dekriminalizimi, 5 pikat që ndajnë opozitën nga mazhoranca

Shqipëria

Dekriminalizimi, 5 pikat që ndajnë opozitën nga mazhoranca

Më: 19 shtator 2015 Në ora: 10:54

Dekriminalizimi i politikës dhe administratës publike, një process që deri para pak muajsh dukej shumë i largët, duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim. Qeveria dhe opozita tashmë kanë hartuar draftet ligjore me propozimet përkatëse për realizimin e procesit, ndërsa ato pritet të diskutohen në Komisionet Parlamentare.

Megjithëse qëndrimi i palëve duket i largët dhe procesi po shoqërohet me akuza të ndërsjellëta për mungesë vullneti politik, të dy draftet kanë më shumë pika të përbashkëta sesa të kundërta. Debati parlamentar i dy ditëve më parë nxorri në pah angazhimin e pozitës dhe opozitës që përballë presionit ndërkombëtar të miratojnë sa më parë draftin ligjor, bashkë me ndryshimet e nevojshme Kushtetuese, që janë mëse të nevosjhme nëse kihen parasysh faktet se nga dekriminalizimi mund të ndërpriten mandatet e të zgjedhurve, qoftë në Kuvend ashtu edhe në pushtetin vendor.

Por krahas përputhshmërisë cilët janë pikat që ndajnë demokratët nga socialistët apo opozitën nga Qeveria në lidhje me dekriminalizimin? Demokratët kanë dy pika të forta, që sipas tyre garantojnë një proces të thellë dhe pastrojnë politikën dhe administratën nga personat e inkriminuar. PD në draftin e saj propozon testin e drogës dhe shenjat e gishtërinjve. Por këto dy propozime janë cilësuar nga mazhoranca si shpikje të SHQUP dhe janë konsideruar të papranueshme. Në këtë aspekt, mazhoranca ngre pretendimin se PD me këto dy kërkesa kërkon të gjejë alibinë për të mos votuar për dekriminalizimin, pra draftin e mazhorancës që u miratua nga Qeveria në mbledhjen e saj të fundit.

Sipas mazhorancës, propozimi për marrjen e shenjave të gishtave është një shpikje për shkak se cdo shtetas që ka mbushur moshën 16 vjec është i detyruar të japë shenjat e gishtërinjve në momentin që është pajisur me kartën e identitetit apo pasaportën biometrike dhe këto të dhëna sot ruhen në bazën e të dhënave për shtetasit shqiptarë.

Një tjetër pikë që ndan palët është ngritja e një institucioni pranë Prokurorisë së Përgjithshme për kontrollin e zyrtarëve, pikë kjo që nuk figuron në projektligjin e Qeverisë.

Drafti i opozitës kërkon ndalimin nga funksionet publike të personave që kanë patur një identitet të ndryshëm në kohën e kryerjes së krimit të përfshirë në listën e veprave që u ndalojnë funksionet publike apo zgjedhjen.Gjithashtu projekti i demokratëve parashikon ndalimin e personave të dënuar për krime të rënda, korrupsion dhe krime zgjedhore.

Pesë pikat që ndaj opozitën nga mazhoranca

1) të caktohet marrja e testit të drogës
2) të merren shenjat e gishtërinjve
3) të caktohet institucioni që kontrollon zyrtarët
4) të ndalohet emërimi në funksione publike i personave me identitet të ndryshëm në kohën e kryerjes së krimit
5) të dalohet emërimi i të dënuarve për krime të rënda, korrupsion dhe krime zgjedhore

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat