Qeveria “Rama” mohon se është në negociata për të pritur refugjatë sirianë: Po punohet mbi një plan për të përballuar çdo situatë

Shqipëria

Qeveria “Rama” mohon se është në negociata për të pritur refugjatë sirianë: Po punohet mbi një plan për të përballuar çdo situatë

Nga: Gjergj Koja Më: 20 shtator 2015 Në ora: 17:15

Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë negociatë me palë të treta për të pritur emigrantë sirianë, por po punon mbi një plan të posaccëm për të qenë të përgatitur dhe në gadishmëri. Kjo është pohuar nga Drejtori i Komunikimit pranë Qeverisë shqiptare Endri Fuga, i cili pohon se Qeveria shqiptare po vepron njëlloj si vende të tjera të rajonit duke marrë masat e nevojshme për të mos qenë e papërgatitur në raste të ndonjë vale emigrantësh nga Siria.

“Nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje me palë të treta. Qeveria shqiptare, njësoj si të gjitha vendet e Europës që mund të preken nga kriza e refugjatëve sirianë, ka ngritur një grup pune dhe po punon për një plan të posaçëm, për të qenë të përgatitur dhe në gatishmëri. Kjo është një praktike normale, e ndjekur nga të gjitha vendet e rajonit”.

Ndërkohë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, duke iu përgjigjur interesit të CNN në këtë drejtim, e quan fals raportimin se Shqipëria do të pranojë 75mijë refugjatë sirianë. “Nuk ka negociata dhe nuk jemi të përfshirë në asnjë diskutim”, thotë Bushati.

Gazeta gjermane “Bild” dhe ajo britanike “The Telegraph” kishin raportuar se Qeveria shqiptare po dakordësohet me BE për të strehuar 75 mijë emigrantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat