UNESCO, sa vota i duhen Kosovës?

Shqipëria

UNESCO, sa vota i duhen Kosovës?

Më: 8 nëntor 2015 Në ora: 20:19

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s do të nisë nesër punimet në Paris në sesionin e saj të 38- të, që është më i rëndësishmi për shqiptarët, pasi do të votohet anëtarësimi i Kosovës.

Shqipëria, nëpërmjet ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati do të prezantojë rreth orës 11:30, para konferencës, projektrezolutën me rekomandimin e Këshillit Ekzekutiv për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe do të kërkojë votimin pro kësaj rezolute.

Shqipëria do të kërkojë që në fillim mbylljen e debatit e kalimin në votim për anëtarësim ose jo të Kosovës në UNESCO, por Serbia ka paralajmëruar se do të kërkojë shtyrjen e debatit në këtë pikë dhe, sipas rregullores së konferencës, mocioni i shtyrjes së debatit ka prioritet ndaj mocionit për mbyllje debati, prandaj ai votohet i pari.

Votimi për anëtarësimin e një vendi të ri, që nuk është anëtar i OKB-së, bëhet me 2/3-tat e votave të atyre që janë të pranishëm dhe votojnë, pra të votuesve në favor dhe kundër. Abstenimet konsiderohen si jovotues. Pavarësisht lobimit të zyrtarëve të Kosovës për pranim në UNESCO, janë mbi 45 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që mund të votojnë kundër pranimit të saj sot.

Mes tyre, Greqia, Afrika e Jugut dhe Rumania kanë premtuar të mos bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pra nga 195 vende të OKB-së, 111 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, 45 janë kundër dhe 39 shtete mbeten mes njohjes dhe mosnjohjes. Kosovës i duhen 19 vota pro, për të arritur qëllimin e saj me pranimin në UNESCO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat