Akuzat e Manjanit për Ramën: Nga 21 janari te nekrofilia

Shqipëria

Akuzat e Manjanit për Ramën: Nga 21 janari te nekrofilia

Më: 9 nëntor 2015 Në ora: 20:48

Ylli Manjani, dikur një bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës në Partinë Socialiste, pas përplasjes me këtë të fundit, bëri kalimin te Lëvizja Socialiste për Integrim dhe u përdor nga kjo forcë si një anti-Ramë par exellance, në momentet më të ashpra të përplasjes politike ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës, kur ky i fundit ishte aleat i Sali Berishës në qeveri.

Ja cilat kanë qenë disa prej deklaratave më të forta të Manjanit kundër Edi Ramës.

Për ndërtimet te Liqeni: “Nuk duhet lejuar prekja e asnjë fijeje bari në parkun e Liqenit Artificial. Është i vetmi që ka Tirana dhe duhet ruajtur me shumë kujdes dhe jo të lejohet ndërtimi aty. U bë shumë mirë që u shty ai konkurs i beftë dhe pa asnjë informacion paraprak për qytetarët. Tani duhet të bëjmë hapin tjetër edhe më të rëndësishëm, të anulojmë tërësisht idenë e ndërtimit në atë zonë”.

Për fasadën e kryeministrisë: “Ajo streha e kauçukut, që është ndërtuar në fasadë, është e tmerrshme. Nuk është as estetike dhe as ligjore. Baza e sotme ligjore ndalon ndërhyrjen në objektet e mbrojtura. Kështu që kushdo që mund të ketë dhënë leje, ka gabuar rëndë. Ajo strehë sikur u bë për të pritur Lady Gaga-n, dhe jo Angela Merkelin”.

Për 21 janarin: “Shqiptarët panë të çmontohen elementët e skenarit të dhunshëm nëpëmjet mashtrimit të opinionit publik nga Rama, regjisor i dhunës së 21 janarit. Këta janë pjesë e skenarit të dhunës së 21 janarit dhe nëse i shpëtojnë prokurorisë, nuk kanë shans t’i shpëtojnë drejtësisë. LSI denoncon sot edhe njëherë se dhuna që buron nga paratë e fëlliqura, është e papranueshme dhe e dënueshme”.

“Ne nuk kemi punë me fatin personal e politik të askujt, por kërkojmë si LSI që organizatorët e dhunës së 21 janarit t’i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan duke i konfrontuar me forcat e sigurisë kombëtare që i bënë mish për top”.

Për largimin nga PS: “Më largoi Rama në asamblenë që gjasme ishte për bashkim”.

Lidhur me marshimin-homazh të Ramës një vit pas ngjarjes së 21 Janarit, Ylli Manjani ka thënë kështu:

“Eshtë nekrofili politike e pastër e zotit Rama për interes të tij politik. Duhen të vdesin njerëzit për të sjellë një surrogato politikan në qeveri? Mua më duket poshtërsi. Ky është një njeri që humbi dritën e syve të tij, Bashkinë e Tiranës, humbi gjeneratorin për të bërë para dhe për të sponsorizuar PS-në. 21 janari iu tentua t’i faturohej zotit Basha, por ishte zoti Basha që i dha një dush të merituar një shuplakë të merituar në zgjedhje”- ka thënë Manjani.

Duke komentuar më tej kandidimin ose jo të Ramës si deputet në zgjedhjet e vitit 2013, Manjani ka thënë se kjo varet nga udhëzimet e “Sektit të Athinës”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat