Përplasja: Naço refuzoi nismën e Ramës për shpifjen

Shqipëria

Përplasja: Naço refuzoi nismën e Ramës për shpifjen

Më: 12 nëntor 2015 Në ora: 18:52

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të kriminalizuar shpifjen, është kundërshtuar që në krye të herës nga Ministria e Drejtësisë, por pa mundur që ta bllokojë atë.

Në një letër që mban datën 17 shtator, të cilën e ka siguruar Ora News, ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i shpreh qeverisë kundërshtinë për ligjin duke e cilësuar në shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

“Në zbatim të dispozitave të Kushtetutës dhe ligjit nr.9000/2003, vlerësojmë se iniciativa e propozuar nga ana juaj duhet të vijohet nga autoriteti që njeh Kushtetuta dhe ligji, pasi propozimi i iniciuar nuk është brenda fushës së veprimtarisë së parashikuar në VKM nr.843/2013. Nevojiten argumentet bindës nëse mbrojtja që ofrohet përmes kësaj dispozite është e justifikuar dhe nuk cënon parimin për mbrojtje të barabartë për të gjithë”.

Gjithashtu Naço, në letrën që i drejtohet ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, thotë se qeveria nuk e justifikon qëllimin e ndryshimeve në Kod Penal.

“Sugjerojmë që propozimi juaj të rivlerësohet, duke argumentuar me kujdes arsyet që çojnë në nevojën për parashikimin e një vepre të re penale”.

Ish-ministri i Drejtësisë i kërkonte gjithashtu parlamentit se para hartimit të ndryshimeve në Kodin Penal të konsultohej gjërësisht duke pasur në konsideratë ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2012, kur shpifja u dekriminalizua me konsensus mes socialistëve dhe demokratëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat