Sulmet në Paris/Tirana zyrtare në krah të Francës, qytetarët vendosin buqeta me lule pranë Ambasadës franceze

Shqipëria

Sulmet në Paris/Tirana zyrtare në krah të Francës, qytetarët vendosin buqeta me lule pranë Ambasadës franceze

Më: 14 nëntor 2015 Në ora: 12:08

Tirana zyrtare dhe krerët e politikës shqiptare kanë shprehur solidaritet me Francën dhe popullin francez pas sulmeve terroriste që përfshinë Parisin mbrëmjen e së premtes. Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe drejtues të partive politike, përmes mesazheve kanë shprehur mbështetjen ndaj Francës dhe popullit francez, duke dënuar ashpër sulmet terroriste që shkaktuan mbi 120 viktima.

Ndërkohë qytetarë të ndryshëm në orët e para të paradites së të shtunës kanë vendosur buqeta me lule pranë Ambasadës së Francës në Tiranë, duke shprehur dhimbjen për viktimat e shkaktuara nga sulmet terroriste. Ambasada franceze është vendosur nën masa më të forta sigurie nga autoritetet shqiptare, ku krahas shtimit të punonjësve të policisë së shtetit me shërbim pranë kësaj ambasade, ka pasur edhe punonjës të policisë private.

Mesazhi i Presidentit Bujar Nishani

Aktet e mbrëmshme terroriste në Paris më tronditën pa masë dhe e gjithë mendja e zemra ime janë në këto moment me Ju, me popullin dhe autoritetet franceze.

Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të viktimave, Juve, popullit dhe Qeverisë franceze. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.

I dënoj me forcën më të madhe këto akte barbare terroriste dhe ektremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë, jo vetëm Francën dhe francezët, por mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike. Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike.

Me ndjenjë të lartë solidariteti, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Mesazhi i Kryeministrit Edi Rama

Shqipëria mbështet Francën dhe qeverinë e saj në këto momente në këto momente të tmerrit dhe pikëllimit # ViveLaFrance

Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta

Kryetareve të Parlamentit e Senatit të Frances z. Claude Bartolone dhe z. Gerard Larcher pas masakrës në Paris.

“Shqiptarët janë shokuar nga sulmet terroriste në Paris. Jemi të gjithë perkrah jush në këto momente kritike.

Shqipëria prane Francës për të mbrojtur vlerat universale demokratike që na bashkojnë. Terroristët nuk mund të cënojnë lirinë dhe vlerat e shoqërisë franceze. Solidaritet me popullin mik francez dhe të gjithe qytetarët e Parisit. Qëndrojëe përkrah aleatëve tanë në luftën e pandalshme kundër terrorizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat