Reforma në drejtësi/Berisha: Rama armiku kryesor, refuzoi edhe thirrjen e Nishanit për një tryezë të partive politike

Shqipëria

Reforma në drejtësi/Berisha: Rama armiku kryesor, refuzoi edhe thirrjen e Nishanit për një tryezë të partive politike

Nga: Gjergj Koja Më: 12 janar 2016 Në ora: 15:54

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka drejtuar akuza të forta mbi mënyrën sesi po kryhet procesi i reformës në drejtësi, duke e cilësuar atë mbi baza korruptive. Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama si kundërshtarin më të fortë të reformës në drejtësi.

"Ka angazhim të madh ndërkombëtar në reformën në drejtësi, mirëpo reforma ka pasur dhe ka që në fillim një kundërshtar të egër, dhe siç faktuan zhvillimet, ky është Edi Rama, i cili vendosi procesin e reformës mbi baza ultrakorruptive. Emëroi ekspertë dhe në parlament individë në konflikt flagrant interesi. Fatmir Xhafaj, përfaqësues i klaneve të drogës, me dokumente, derdhi në draft kompetenca që i ka vetëm ministri i Drejtësisë së Koresë së Veriut, bëhet ministër i gjykatësve dhe prokurorëve.

Xhafaj, me nene shpalli supergjykatës së vendit kunatin e tij të dashur Sokol Berberin. Por si e zgjodhi? Më i vjetri i gjykatës kushtetuese - kështu e zgjodhi. Opozita nuk mund të pajtohej kurrë me një draft të tillë. Rama zgjodhi këta specialistë, që të gjithë pa përjashtim, njërës që është një zonjë, pa asnjë njohuri në të drejtën kushtetuese, për të bërë reformën që do të jepte drejtësinë në pëllëmbë të dorës. Venezia mbrojti parimet universale të një shoqërie të lire, Venezia gjeti rrezikun e kapjes së sistemit të drejtësisë në disa nene", tha Berisha.

Ish-Kryeministri u shpreh dhe për mundësinë e trafikimit të votave nga opozita për miratimin e reformës në drejtësi që siç është propozuar duhet të kalojë me 3/5.

"Kam bindje se Edi Rama nuk do mund të garantojë asnjë votë nga opozita. Pavarësisht kundërshtive që mund të kenë, opozitarët nuk janë kriminelë që shiten e blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit janë njerëz të përgjegjshëm dhe me integritet. Kjo që përhap Edi Rama është presion që i bën aleatit të tij në qeverisje, vëllaut armik në qeveri. Ekzistojnë disa forma që emërimet të bëhen pa kapjen e gjyqësorit. Ekspertët bënë propozimin, me këtë mazhorancë propozimet të bëhen me 2/3, mazhorancën tjetër le të kalohet me 3/5. Ekspertët e të gjitha forcave politike e pranuan, por njëri prej tyre tha një fjalë të fundit do t'ua them kur të këshillohem me Edi Ramën. Rrëzoi propozimin logjik që dëshmonte se asnjëra palë nuk ka si ta kapë dhe vazhdoi me draftin e kulisave dhe thonë do ta çojmë në Venezia pa opozitën. Opozita do të bëjë gjithçka që reforma të bëhet mbi parime dhe standarde të pranuara.

Opozita mbajti qëndrim parimor të shkëlqyer, nuk u ndikua nga akuzat e cakejve të qeverisë. Opozita ja doli të imponojë tërheqjen e draftit të dytë të kulisave. Rama është i verbër në revanshin e tij...por me këto hapa ai vetëm po pengon reformën", tha Berisha.

Deputeti demokrat u shpreh se e mbështet kërkesën e presidentit Nishani për një tyrezë me liderët politikë për reformën në drejtësi.

"Presidenti kishte të drejtë thirrjen e kryetarëve të partive politike në mënyrë që ti inkurajonte për një përballje të përbashkët të një problemi themelor siç është Kushtetuta e re, më shumë se gjysma e neneve të Kushtetutës që ndryshohen. Njeriu që refuzoi këtë është Edi Rama, pa pjesëmarrjen e PS tryeza nuk mund të bëhej", u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat