Reforma në Drejtësi, PD kundër ndërprerjes së mandatit të Kryeprokurorit

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, PD kundër ndërprerjes së mandatit të Kryeprokurorit

Nga: Gjergj Koja Më: 13 janar 2016 Në ora: 19:18

Partia Demokratike është kundër ndërprerjes së mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, megjithëse mbeten të hapura për negociata me mazhorancën në lidhje me diskutimet për reformën në drejtësi.

Eksperti i PD-së Ivi Kaso shprehet se propozimi i përfshirë në draftin e ekspertëve për reformën në drejtësi për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm shkel rekomandimin e Komisionit të Venecias.

“Kemi vërejtur se nuk respektohet komenti i Komisionit të Venecias mbi mungesën e nevojës së ndërprerjes së mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, koment ky i cili përmbahet në paragrafin
96 të Komisionit të Venecias, i cili qartë dhe pa asnjë ekuivok shprehet se megjithatë zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është domosdoshmërish një çështje nevoje dhe mbajtja e Prokurorit të Përgjithshëm deri në mbarimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”, tha Kaso.

Drafti i ekspertëve është depozituar në Komisionin Ad-Hoc për reformën në drejtësi, ndërsa i është dërguar edhe Komisionit të Venecias për të dhënë ekspertizën e tij. Ekspertët e PD nuk ishin të pranishëm në tryezën e ekspertëve me pretendimin se mazhoranca nuk kishte vullnet të zbatonte rekomandimet e Venecias. Një nga kundërshtitë e PD kishte të bënte me zgjedhjen dhe promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilin mazhoranca propozon miratimin me 3/5 e votave, ndërsa opozita me 2/3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat