Tabaku: Reforma në drejtësi të ketë kriter Progres-raportin e BE-së

Shqipëria

Tabaku: Reforma në drejtësi të ketë kriter Progres-raportin e BE-së

Më: 15 janar 2016 Në ora: 15:20

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaron se duhet të bëhet një reformë në drejtësi në përpushje me Progres-raportin për Shqipërinë të BE-së dhe Komisioni i Venecias është mundësia për të gjetur alternativa që minimizojnë gjithnjë e më shumë ndërhyrjen e ekzekutivit tek gjyqësori.

Tabaku nëpërmjet statusit të saj ne Facebook mesditën e të premtes, i referohet reformës në drejtësi duke sjellë vëzhgimin e saj, madje e titullon “Reforma në Drejtësi dhe Integrimi Europian”.

“Në nëtor, Komisioni Europian paraqiti Progres-raportin për Shqipërinë dhe nënvizoi edhe domosdoshmërinë e Reformës në Drejtësi, e cila duhet të ndiqte tre parime tejet të rëndësishme. a) Kryerjen e një reforme e cila duhet të merrte parasysh jo vetëm standartet Europiane por edhe praktikat më të mira të saj. b) Mbushjen e vendeve bosh në Gjykatën e Lartë dhe atë Administrative. c) Krijimin e një sistemi gjyqësorë të pavarur dhe të paanshëm. Përgjatë gjithë trajtesës së Raportit vërehen ato probleme dhe defekte që sistemi aktual ka dhe që fatkeqësisht shfaqeshin edhe në draftin e propozuar nga mazhoranca (qeveria) në Komisionin e Venecias”, shprehet Tabaku.

Tabaku shprehet se “Siç edhe progres- raporti propozon, nuk mund të ndërtojmë një sistem të shëndetshëm gjyqësor nëse ne thjesht përmendim fjalën europiane. Gjithashtu, kërkon edhe aplikimin e kritereve të njëjta në rast vlerësimesh të gjyqtarëve dhe prokurorëve si në rangjet e “larta” ashtu edhe në ato të “ulëta”. Kjo për të siguruar një sistem korrekt të Check and Balance dhe për të mos prodhuar një kontroll dhe përqëndrim të pushtetit në disa duar”.

Tabaku pohon se “Komisioni i Venecias është mundësia për të gjetur alternativa që minimizojnë gjithnjë e më shumë ndërhyrjen e ekzekutivit tek gjyqësori. Pikërisht për të ruajtur këtë balancë dhe për të mos krijuar një mbi autoritet është e nevojshme, e këtë e cilëson edhe Progres- raporti në pikën që përmend “Praktikat më të mira Europiane”, se duhet krijuar një dakortësi që sistemi nesër të jetë funksional. Përndryshe do të kemi si produkt një sistem gjyqësor i cili nuk ruan dhe as nuk prodhon një shtet ligjor apo shtet të së drejtës. Por, prodhon një shtet të ngritur mbi parime totalitare ku pushtetin e kontrollojnë disa duar. Por, a ka mundësi që të ndryshohen 57 nene të Kushtetutës dhe të mos arrihet rezultati i dëshiruar?! Si ka mundësi që krijohen 8 institucione, të cilat të gjitha në moment “kapen” nga mazhoranca? Në pak fjalë, ndjekja e këshillave të Progres-raportit na përcjell të njëjtat mesazhe që akoma më qartësisht Komisioni i Venecias ka pasqyruar në opinionin e tij”.

“Nëse do të ndiqet udha e derimëtanishme, ajo që do të prodhojmë do të jetë një sistem gjyqësor i cili, 1. Aplikon kritere të dyfishta 2. Prodhon një standard të çalë të pavarësisë së Gjygjësorit 3. Sjell një formulë institucionale që dëmton procesin dhe krijon pushtet për mazhorancën 4. Duke prodhuar një shtet jo ligjor dhe 5. Një Check and Balance që është fiktiv duke qenë se nuk është gjë tjetër vetëm se kontroll i pushtetit ndaj atyre gjyqtarëve apo prokurorëve të padëshiruar. Siç të gjithë e dimë, kryefjala e këtij viti është Reforma në Drejtësi jo vetëm si pikë kardinale për integrimin në Bashkimin Europian, por mbi të gjitha, si një domosdoshmëri jetike e shoqërisë sonë”, shprehet Tabaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat