Reforma në drejtësi, PD drejt përfundimit të propozimeve që do ti dërgohen Venecias/ 11 arsyet pse kundërshtohet drafti i ekspertëve

Shqipëria

Reforma në drejtësi, PD drejt përfundimit të propozimeve që do ti dërgohen Venecias/ 11 arsyet pse kundërshtohet drafti i ekspertëve

Nga: Gjergj Koja Më: 17 janar 2016 Në ora: 17:03

Akuzat e Partisë Demokratike ndaj mazhorancës për kapjen e institucioneve të drejtësisë përmes draftit të paraqitur nga ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi pritet të përbëjnë bazën e dokumentit që partia më e madhe e opozitës do ti drejtojë Komisionit të Venecias. Në mbledhjen e fundit të komisionit Ad Hoc për reformën në drejtësi u vendos që krahas draftit të ekspertëve, në Komisionin e Venecias të depozitohen edhe propozimet e LSI dhe PD-së në lidhje me këtë reformë. Demokratët kanë parashtruar 11 amendamentet, që përbëjnë edhe ndarjen e saj me draftin e paraqitur nga ekspertët.

Burime nga PD theksojnë se dokumenti që do t’i drejtohet Komisionit të Venecias do të përfshijë 11 amendamentet, por edhe sqarimet e detajuara sepse demokratët kërkojnë që ato të merren parasysh në diskutimet që do të zhvillohen në vijim mbi reformën më të rëndësishme në vend. PD ka shprehur si kontestim kryesor të saj ndaj draftit të paraqitur zgjedhjen e funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë, për të cilët demokratët propozojnë formulën me 2/3 e votave në Kuvend, ndërsa ekspertët kanë propozuar zgjedhjen me 3/5 e votave.

Sipas PD-së, zgjedhja përmes formulës së propozuar nga ekspertët përbën një kapje të institucioneve të drejtësisë, për shkak se mazhoranca e sotme i ka votat e nevojshme në Kuvend, pa pëlqimin e opozitës. Në raport theksohet se ky shqetësim është evidentuar dhe në rekomandimet e Venecias, por ekspertët e Partisë Socialiste nuk e kanë reflektuar.
Skema aktuale e krijimit të institucioeneve sipas demokratëve është e komplikuar dhe sjell mbivendosje të kompetencave. Gjithashtu në raportin e tyre ekspertët e Partisë Demokratike, kritikojnë parashikimet për ndërprerjen e mandatit të funksionarëve të lartë në sistemin e drejtësisë.

Drafti parashikon ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që vetë Venecia, zëvendësimin e tij nuk e sheh të domosdoshëm. Ekspertët demokratë nuk bien dakort dhe mbi rolin e Presidentit në emërimin e gjyqtarëve. Sipas tyre është deformuar komenti i Komisionit të Venecias për këtë çështje, duke e zhveshur Presidentin nga çdo kompetencë.

Partia Demokratike në draftin e ekspertëve kritikon dhe mosreflektimin e Komisionit të Venecias për ngritjen e gjykatës së lartë administrative, duke argumentuar se vetë ekspertiza europiane e 21 dhjetorit e ka kundërshtuar këtë institucion për shkak se Shqipëria nuk i ka burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare.

Në raportin e hollësishëm që do të evidentojë të gjitha kritikat e draftit për reformën në drejtësi, demokratët listojnë dhe shqetësimin se projekti final i heq Gjykatës Kushtetuese të drejtën për të shqyrtuar reformën në drejtësi.

Një pikë tjetër e pa pranuar për demorkatët, është proçesi i rivlerësimit tërësor të gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Pritet që të gjithë raportin e detajuar, PD ta depozitojë në Kuvend pasditen e së hënës, dhe më pas bashkë me draftin e ekspertëve dhe propozimet e LSI-së ato do ti përcillen Komisionit të Venecias. Ky i fundit pritet që në fillim të muajit shkurt të angazhojë ekspertët e saj që do të zhvillojnë një vizitë në Tiranë për të diskutuar me palët në proces mbi ecurinë e procesit të reformës në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat