Reagon Avokati i Popullit, dhuna në Ostren akt kriminal

Shqipëria

Reagon Avokati i Popullit, dhuna në Ostren akt kriminal

Më: 11 mars 2016 Në ora: 14:02

Igli Totozani dënon dhunën e ushtruar nga mësuesi Agim Muça ndaj nxënësve të shkollës 9-vjeçare në fshatin Ostren, të Dibrës.

Avokati i Poullit përmes reagimit të tij ka inkurajuar drejtësinë që të vazhdojë hetimet e plota për të çuar në gjykatë Agim Muçën.

“Mbështesim ndërhyrjen e strukturave arsimore dhe policisë vendore për reagimin e shpejtë dhe marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj këtij individi, që nuk mundet kurrsesi të përfaqësojë figurën e mësuesit, roli primar i të cilit mbetet edukimi, jo dhuna”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit i drejtohet edhe komunitetit të prindërve, fëmijëve dhe çdo individi që kur konstatojnë raste të dhunimit të nxënësve nga mësuesit apo edukuesit e tyre, t’i denoncojnë në strukturat përkatëse arsimore dhe të drejtësisë.

“Dhuna fizike dhe psikologjike është një eksperiencë e papranueshme për fëmijët, me pasoja të rënda për mirëqënien e tyre. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet është një detyrim ligjor për gjithsecilin dhe duhet të bëhet pjesë përbërëse e programit edukues në familje, shkollë dhe komunitet”, mbyllet reagimi i Avokatit të Popullit në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në ndaj nxënësve të shkollës 9-vjeçare në fshatin Ostren, të Dibrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat