Qeveria shqiptare krijon Komisionin Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët

Shqipëria

Qeveria shqiptare krijon Komisionin Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët

Më: 16 mars 2016 Në ora: 21:02

Qeveria ka vendosur të ngrejë një komision kombëtar për azilin dhe refugjatët. Ende nuk dihet nëse ka lidhje me fluksin e emigrantëve, por vendimi vjen në një kohë kur kjo është një çështje dite në shumë vende të rajonit.

Vendimi i qeverisë vjen me propozim të Ministrisë së Brendshme, ndërsa komisioni do të ketë në përbërje përfaqësues të disa institucioneve, posaçërisht të Ministrisë së Jashtme, të Mirëqenies Sociale, asaj të Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Komitetit të Helsinkit.

Në vendim thuhet se anëtarët e Komisionit caktohen nga institucionet për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtën e rinovimit të mandatit të tyre ose të caktimit të një përfaqësuesi të ri, brenda 30 ditëve para përfundimit të mandatit.

“Komisioni, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, asistohet nga një specialist i autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, me detyrën e sekretarit, i cili caktohet nga drejtuesi i këtij autoriteti”, thuhet në pikën 8 të vendimit.

Sipas vendimit, autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët i paraqet Komisionit dokumentacionin e plotë të azilkërkuesit që ankimon vendimin e dhënë nga ky autoritet, ndërsa përpara dhënies së vendimit, Komisioni dëgjon azilkërkuesin, lidhur me pretendimet e tij.

“Komisioni merr vendim brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së ankimit. Vendimi i arsyetuar i Komisionit i dërgohet azilkërkuesit, nëpërmjet autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe është përfundimtar, lidhur me ankimin administrativ. Ky vendim mund të ankimohet nga azilkërkuesi në gjykatën kompetente për çështjet administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në pikën 12 të vendimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat