Rrëzimi i helikopterit, zbardhet itinerari i fluturimit të “EC-145”

Shqipëria

Rrëzimi i helikopterit, zbardhet itinerari i fluturimit të “EC-145”

Më: 11 prill 2016 Në ora: 17:10

Helikopteri “EC 145” që u rrëzua në liqenin e Shkodrës, ka fluturuar për 95 minuta në ajër, deri në momentin e përplasjes.

Kjo është provuar nga plani fluturimit stërvitor i miratuar nga eprorët ushtarak dhe kontakti, që dy pilotët tashmë dëshmor të kombit, kanë mbajtur me operatorin ushtarak në kullën e vrojtimit të radarëve të Forcave të Armatosura.

Sipas këtij plani, rezulton se, helikopteri me tre persona në bord është nisur nga Regjimenti i Farkës në ora 12:10 minuta, për të vazhduar me itinerarin Tujan, zonën mbi Qafë Murr, në vazhdim në Qafë Buall, Shupenzë të Peshkopisë, më pas janë kthyer në drejtim të Kukësit, zonën e Qafë Luzhës e Qafë Valbonës në Tropojë, për të vazhduar sipër Vermoshit, zonën e Rapstarjes në Koplik dhe për të përfunduar në zonën e Shkodrës, ku edhe u rrëzua në liqen.

Përplasja, thonë hetuesit, ka qenë në ora 13:45 minuta, kohë kjo kur edhe pilotët kanë ndërprerë kontaktet me operatorin e kullës së radarëve të Forcave të Armatosura.

Me humbjen e kontaktit, hetuesit kanë administruar një shkresë të komandantit të regjimentit të Helikopterëve, i cili ka urdhëruar nisjen e një helikopteri të dytë shpëtimi, për në zonën e humbjes së kontaktit, ku edhe është konfirmuar rrëzimi i helikopterit me dy pilotët tashmë të shpallur dëshmor.

Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, vdekja e pilotëve ka qenë e menjëhershme pas shokut traumatik të pësuar nga përplasja me ujin. Ndërkohë, burimet pranë prokurorisë, thonë se, nga verifikimi paraprak, helikopteri ka bërë ulje të menjëhershme të llojit pikiat të anuar nga e majta.

Si pasoj e përplasjes me ujin, hetuesit thonë se, ushtari Gerald Baramuça ka fluturuar jashtë kabinës së helikopterit, duke pësuar edhe thyerje të krahut dhe dëmtime të tjera në trup, pasi nuk ka qenë i lidhur.

Mësohet se gjatë mesditës së hënë, dy hetues kanë marrë në pyetje ushtarin Baramuça në Qendrën Spitalore të Traumës, cili është shprehur se nuk mbante mend asgjë nga përplasja dhe as nga shkaku i rrëzimit.

Nga ana tjetër dy javë para rrëzimit, po i njëjti ekuipazh dhe me të njëjtin helikopter, kanë fluturar në një plan stërvitor për zonën e Jugut të Shqipërisë.

Ndërkaq, pas rrëzimit të helikopterit, janë hapur tre hetime njëkohësisht, ajo e prokurorisë, hetimi adminisrativ i Ministrisë së Mbrojtjes dhe investgimi i rrëzimit nga Bordi i Hetimit të aksidenteve dhe incidenteve ajrore, që është i ngritur me vendim qeverie.

Ndërkohë gjatë mesditës së hënë në regjimentin e helikopterëve, ka qenë për vizitë Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në fjalën e saj, ajo tha se, po punohet me prokurorinë për të zbardhur shkakun e rrëzimit, duke i kërkuar efektivëve të këtij regjimenti të vazhdojnë punën dhe misionin e tyre në Forcat e Armatosura./ABC News/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat