Rrëzimi i helikopterit: Prokuroria “zbarkon” në Farkë

Shqipëria

Rrëzimi i helikopterit: Prokuroria “zbarkon” në Farkë

Më: 12 prill 2016 Në ora: 10:17

Ekspertët e Eurocopter, të ardhur posaçërisht nga Franca, nuk kanë mundur të hapin kutinë e zezë të helikopterit dhe kanë kërkuar dërgimin e saj për ekspertim në Gjermani. Hetuesit zbarkojnë në Farkë dhe në Rinas, për sekuestrimin e praktikës së fluturimit. I mbijetuari Gerald Baramuça: Nuk mbaj mend asgjë.

Kontrata për blerjen e 5 helikopterëve nga Eurocopter, ndër të tjera parashikon edhe trajnimin e stafit shqiptar në rast defektesh apo mirëmbajtje të helikopterëve.

Por rasti i rrëzimit të helikopterit në liqenin e Shkodrës, tregoi se jo vetëm ekspertët shqiptarë, por dhe ata të huaj nuk kanë qenë në gjendje të hapin dhe rikuperojnë të dhënat e “kutisë së zezë”.

Tri ditë pas nxjerrjes së saj nga Liqeni i Shkodrës, ekspertët kanë vendosur dërgimin e kutisë në Gjermani, me qëllim rikuperimin e bisedave të bëra në bordin e helikopterit, në momentin e rënies.

Burime pohojnë se nuk bëhet fjalë për një kuti klasike të zezë, por një kamera me një hard-disk, që ndodhet e vendosur në pjesën e kabinës së helikopterit dhe aktivizohet automatikisht sapo helikopteri niset në fluturim.

Kjo kamera është programuar të regjistrojë të gjitha bisedat e pilotëve dhe të filmojë deri në momentin e fundit.

Ekspertët mendojnë se kamera ka regjistruar momentet e fundit përpara përplasjes, por ata nuk janë në gjendje të rikuperojnë pamjet filmike dhe përmbajtjen audio të bisedës mes dy pilotëve.

Kjo edhe për faktin se hard-disku i pajisjes regjistruese ishte i dëmtuar, çka tregon se shpërthimi ka qenë shumë i fortë.

Krahas ekspertimit të “kutisë së zezë”, Prokuroria e Tiranës ka nisur kryerjen e disa veprimeve hetimore për llogari të hetimeve që po kryhen nga Prokuroria e Shkodrës.

Disa oficerë të policisë gjyqësore kanë shkuar dje në repartin e helikopterëve në Farkë, ku kanë marrë në pyetje drejtuesit dhe personat përgjegjës për fluturimin stërvitor të helikopterit “EC 145”, i cili ka qëndruar për rreth 95 minuta në fluturim.

Sipas përshkrimit që kanë bërë drejtuesit e bazës ajrore të Farkës, rezulton se helikopteri është ngritur në fluturim në orën 12:10 minuta në itinerarin Tujan, Qafë Murr, në vazhdim në Qafë Buall, Shupenzë të Peshkopisë, më pas janë kthyer në drejtim të Kukësit, zonën e Qafë Luzhës e Qafë Valbonës në Tropojë, për të vazhduar sipër Vermoshit, zonën e Rapstarjes në Koplik dhe për të përfunduar në zonën e Shkodrës.

Krahas dëshmive, hetuesit kanë marrë edhe praktikën dokumentare jo vetëm për ngritjen e helikopterit në fluturim, por edhe dokumentet që disponon baza për këtë mjet fluturues.

Më herët, prokuroria i kishte kërkuar zyrtarisht Bazës Ajrore vënien në dispozicion të këtyre dokumenteve, por tashmë ato janë sekuestruar me vendim të prokurorisë.

E njëjta praktikë është ndjekur edhe në kullën e Albkontrollit në Rinas, ku gjithashtu hetuesit kanë qenë paraditen e djeshme për të marrë të dhënat e nevojshme mbi itinerarin e fluturimit të helikopterit.

Pasditen e të dielës hetuesit kanë vizituar në spital të mbijetuarin e aksidentit, ushtarin profesionist Gerald Baramuça, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Prej ditës së incidentit, ai ka qenë në gjendje shoku dhe autoritetet hetimore nuk kanë pasur mundësi të merrnin dëshminë e tij, e cila mund të shërbente për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Pasditen e së dielës, mjekët e Spitalit të Traumës kanë vlerësuar se gjendja e tij emocionale dhe shëndetësore ka qenë e pranueshme për t’iu nënshtruar pyetjeve të Policisë Gjyqësore.

Pavarësisht pritshmërisë, hetuesit nuk kanë arritur të marrin informacione të vlefshme prej Baramuçës, i cili gjendej në pjesën e pasme të helikopterit ushtarak që drejtohej nga Deliaj dhe Hoxha.

Hetuesit i kanë parashtruar të plagosurit pyetje të detajuara lidhur me itinerarin, lëvizjen, faktin se përse gjendeshin në atë zonë, momentin e rrëzimit, nëse ka pasur defekte të dukshme gjatë fluturimit të helikopterit, si edhe çastet e fundit para përplasjes së mjetit fluturues me sipërfaqen e ujërave të Liqenit të Shkodrës.

Por për secilën prej pyetjeve, i mbijetuari i aksidentit është përgjigjur se nuk mban mend asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat