Hemodializa do ofrohet edhe në Vlorë, Rama: Fund torturave të pacientëve që shohin makthe

Shqipëria

Hemodializa do ofrohet edhe në Vlorë, Rama: Fund torturave të pacientëve që shohin makthe

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 15:43
Edi Rama

Për herë të parë, shërbimi i hemodializës do të kryhet edhe në Vlorë, nga ku deri më sot, për të kryer hemodializën, pacientët duhet të udhëtonin tre herë në javë drejt Tiranës, të shoqëruar nga familjarë, për të kryer në spitalin ”Nënë Tereza” ose në Fier, seancat që zgjasin deri në 4 orë dhe me tre turne.

Qendrën e re të Hemodializës e vizitoi Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe deputetë. 

“Kjo është prova e prekshme e të vërtetë, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë. Në atë lloj sistemi paguheshin nga shteti 90 euro dhe merrej një shërbim mizerabël. Në këtë skemë, shteti paguan vetëm 80 euro dhe merr shërbim që është standarde europiane, të certifikuar si kudo. Është shumë rëndësishme që të gjithë ata që bëjnë hemiodializë të shpëtojnë, siç shpëtuan këta në Vlorë, ata në Korçë, ata në Shkodër dhe ata në Lezhë e me radhë, sipas kontratës. Të vijë ky shërbim dhe të mbarojë kjo torturë për qindra e qindra familje që shohin makthe. Plus janë detyruar që shpeshherë ta bëjnë turni i tretë,”, u shpreh Kryeministri.

Kapacitet e Qendrës së Hemodializës në Vlorë janë të tilla që mundësojnë trajtimin e pacientëve, duke eliminuar turnin e tretë. Kjo Qendër është ndër 5 qendrat që hapen në vend gjatë këtij viti, çka do të ulë ndjeshëm edhe shpenzimet e transportit që paguheshin nga spitali për këta pacientë. Sipas ministrit Beqaj, pacientët e hemodializës do t’i marrin në vend edhe ilaçet. 

“Shkurtim kohe për pacientin e familjarët. Nuk shpenzojmë më për transportin. Spitali paguante 3 herë në  javë për çdo transport dhe shkonte në vit, 600-700 euro për çdo pacient. Edhe shpërndarja e barnave me listën e re të rimbursimit do t’i marrin këtu dhe nuk ka më nevojë të vijnë në Tiranë. Është e para në 5 pikat që  do hapim këtë vit sipas kontratës,”  nënvizoi ministri Beqaj. 

Kjo Qendër i vjen në ndihmë edhe të gjithë atyre pushuesve që e kanë të domosdoshme këtë shërbim, të cilin mund ta kryejnë edhe gjatë periudhës së pushimeve të sezonit veror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat