Xhafaj: Reforma në drejtësi kthen besimin e shqiptarëve tek ligji

Shqipëria

Xhafaj: Reforma në drejtësi kthen besimin e shqiptarëve tek ligji

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 00:09
Fatmir Xhafaj

I pari që ka folur nga podiumi i seancën plenare ka qenë kreu i komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili ka e cilësoi si ditë të veçantë në këto 26 vite të brishta të demokracisë, arritjen e marrëveshjes mes palëve për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend.

“Ky është një detyrim i madh që i kemi shqiptarëve, pasi qytetarët shqiptarë e meritojnë drejtësinë dhe integrimin në Bashkimin Europian. Ky është një proces që ju siguron shqiptarëve që porta ku do të trokasin mos tu përplaset më në fytyrë, nëse ata nuk kanë mundësinë të blejnë të drejtën e tyre, ose nuk kanë një status të caktuar në shoqëri”, deklaroi Xhafaj. Reforma, sipas tij, ka në fokus ndryshime në themel të shtetit dhe një proces që i shërben të sotmes dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. 

Ai theksoi në fjalën e tij, se reforma në drejtësi nuk bëhet për individ të veçantë apo për mandate, por për të riorganizuar institucionet e sistemit të drejtësisë. Reforma, e vijoi fjalën Xhafaj, kthen besimin në sistemin e drejtësisë, si dhe vendos bazën për luftën ndaj korrupsionit.  “Sistemi i drejtësisë do të shkëputet nga ndikimi politik”, u shpreh Xhafaj nga foltorja e Kuvendit.

Gjithëpërfshirja, tranparenca dhe standardet më të mira ndërkombëtare janë parimet bazë mbi të cilat u ndërtua e realizua ky proces. Personalisht, theksoi Xhafaj, besoj fort tek ky projekt, duke shtuar se kemi ende rrugë përpara për zbatimin e saj. “Sot rezultatet e angazhimit janë më të prekshme se kurrë. Sot qytetarët dhe partnerët, por edhe skeptikët e reformës, gjejnë të kurorëzuar hapin e parë të rëndësishëm në angazhimin e vendit tonë për të shëruar sistemin e drejtësisë nga klientelizmi, zvarritja e proceseve, mungesa e profesionalizimit, mungesa e eksesit, gjykimet e padrejta, korrupsioni, korporatizmi. Gjithëpërfshirja, transparenca dhe standardet më të mira ndërkombëtare kanë qenë parimet bazë mbi të cilat u ndërtua dhe u realizua ky proces. Sot do të miratojmë bazën kushtetuese, mbi të cilën do të reformohet sistemi i drejtësisë për të qenë një drejtësi më e besueshme për qytetarët dhe që ky sistem të funksionojë në mënyrë eficente dhe institucionale. Ky proces është një nga proceset më të mira, nga metodologjia, nga ekspertiza e institucioneve të drejtësisë, procesi i konsultimit publik, kanë qenë urdhër rrëfyes të reformës”, tha Xhafaj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat