Prokuroria e Posaçme, pse do të duhet rreth 1 vit të nisë nga puna

Shqipëria

Prokuroria e Posaçme, pse do të duhet rreth 1 vit të nisë nga puna

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 22:36
Kuvendi

Votimi në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, i kërkuar me ngulm edhe nga faktori ndërkombëtar, nuk do t’i japë menjëherë pasojat. Një prej strukturave më të shumëpritura mbetet ajo e Prokurorisë së Posaçme, së cilës do t’i duhet rreth një vit derisa të marrë në dorë dosjet e korrupsionit, krimit të organizuar apo të hetojë zyrtarë të lartë.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvend ende nuk kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, pasi nuk janë dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe as janë botuar në Fletoren Zyrtare. Pas tyre, do të vijojë një paketë tjetër me 7 ligje që plotësojnë reformën në drejtësi.

Faza e parë, 8 muaj

Në bazë ndryshimeve kushtetuese të votuara në orët e para të 22 korrikut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një strukturë e re që ngrihet, duhet të krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.

Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Faza e dytë, 2 muaj

“Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit. Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit”, thuhet në ndryshimet kushtetuese, të votuara në Kuvend me 140 vota. Pra pas rreth 8 muajve që do të kërkojë ngritja e KLP-së, do të “harxhohen” edhe rreth 2 muaj të tjerë për prokurorët specialë.

Sipas ndryshimeve kushtetuese, prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme, si dhe para Gjykatës së Lartë. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit.

Kandidati për prokuror, oficer i hetimit, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe familjarët e afërm të tij, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve personale, sipas ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat