Vdes autori i masakrës në spital, të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin

Shqipëria

Vdes autori i masakrës në spital, të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 09:22
Foto nga vendi ngjarjes

Pacienti zjarrvënës, Lefter Canaj, ndërron jetë 24 orë pasi shkaktoi masakrën në spital. Policia heton në dy pista për zbardhjen e ngjarjes. 57-vjeçari dyshohet se vuante nga depresioni prej kohësh. Dashamir Saraçi ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Njëzet e katër orë pas masakrës së ndodhur në spitalin privat në zonën e Laprakës, ka ndërruar jetë edhe autori i krimit, Lefter Canaj. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se 57-vjeçari ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm, pasi nuk ka mundur t’u rezistojë djegieve të shumta që kishte marrë në trup. Ndërsa mësohet se 38-vjeçari Dashamir Saraçi, ndodhet i shtruar në Repartin e Djegie Plastikës në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore. Mjekët e këtij reparti kanë bërë të ditur se 38-vjeçari ka djegie të rënda në masën 90% të trupit, duke arritur kështu djegiet e shkallës së tretë. Gjendja e tij, thonë mjekët e spitalit, është kritike për jetën. “Pritet të ndodhë gjithçka me këtë pacient, djegiet në trupin e tij janë të rënda, mund të themi me plotë gojën se janë të shkallës së tretë. Shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet, edhe pse është e vështirë”, është shprehur një nga mjekët e Repartit të Djegie- Plastikës në QSUT.

Ngjarja 

Paraditen e së hënës, në repartin e Hemodializës në spitalin privat që ndodhet në zonën e Laprakës, pranë Spitalit të Traumës, është shënuar një masakër e vërtetë. E gjithë kjo ngjarje e shkaktuar qëllimisht nga 57-vjeçari Lefter Canaj, i cili humbi jetën vetëm 24 orë pas ngjarjes. Sipas filmimeve të brendshme në sallën ku nisi djegia e pacientëve, Canaj, me një shishe benzinë spërkati pacientin, Saraçi, që po merrte dializë duke i vënë më pas flakën. Por, si pasojë flakët u shpërndanë shumë shpejt në dhomën ku qëndronin gjithsej gjashtë persona. Vdekjen e menjëhershme e pësuan dy pacientet Sanije Sulaj, 65-vjeçare, banuese në Mamurras dhe Anife Mali, 55-vjeçare, banuese në Laç.

65-vjeçarja ndodhej fare pranë vendit ku 57-vjeçari spërkati Dashamir Saraçin me benzinë dhe, si pasojë flakët ishin fatale për të duke i marrë jetën menjëherë. Ndërkohë, burime nga policia një ditë pas ngjarjes, bënë të ditur se nga kjo ngjarje mbetën të plagosur (asfiksuar dhe dëmtime të lehta) rreth 20 persona, të cilët në atë moment ndodheshin në dhoma të ndryshme. Por, përhapja e flakëve dhe e tymit bëri që shumica e tyre të asfiksoheshin.

Ndërsa mbeti i plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën, njëri nga infermierët, i cili në atë moment po mjekonte pacientët që ndodheshin në dhomën ku ndodhi ngjarja e rëndë. Policia e Tiranës bëri të ditur se infermieri i plagosur është 34-vjeçari nga qyteti i Beratit, me inicialet S. B. Ky i fundit vijon të marrë mjekim në Repartin e Djegie Plastikës në QSUT, deri në momentin që gjendja e tij shëndetësore do të jetë normale.

Brenda Repartit të Djegie Plastikës 

Vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë e cila tronditi mbarë vendin për nga mënyra dhe motivi që dyshohet të ketë ndodhur, gjendemi në ambientet e brendshme të Djegie Plastikës në QSUT, aty ku ndodhet i shtruar Dashamir Saraçi. Me vështirësi mundemi të futemi në brendësi, duke arri tur në dhomën ku qëndronte i shtruar 38-vjeçari i cili u spërkat me benzinë nga pacienti Canaj. Gjendja e tij shëndetësore nuk donte shumë shpjegime nga mjekët, pasi e tregonin pamjet. Çdo pjesë e trupit të tij ishte e djegur, ndërsa pjesa e fytyrës mund të themi se nuk i dallohej fare. Ishte një pamje mjaft tmerruese, teksa shikoje një person të djegur tërësisht, madje duke u përpëlitur në krevat.

Pistat e hetimit 

Për zbardhjen e masakrës me tre viktima dhe rreth 20 të plagosur, burime nga Sektori për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës bënë me dije se po hetohet në dy pista. Sipas hetuesve, autori i masakrës së 25 korrikut në spitalin privat, prej kohës ka shfaqur herë pas here shenja depresioni. Ky fakt thonë ata është bërë i ditur nga familjarë të tij, çka ka bërë që të ngrihen dyshimet se mund të jetë një ndër motivet kryesore për veprimin e ndërmarrë prej tij, duke sjellë dhe pasoja të rënda më pas. Ndërkaq, burimet thonë se nuk është vetëm kjo pistë ku po hetohet për zbardhjen e ngjarjes. Një tjetër pistë ku është fokusi i hetuesve është një konflikt i mundshëm mes dy pacientëve protagonistë, për motive tepër banale që përfundoi duke marrë jetë njerëzish të pafajshëm. Burimet thonë se Canaj dhe Saraçi dyshohet të kenë pasur një konflikt përsa i përket radhës së marrjes së dializës dhe vendit ku e merrnin. Mjaftonte kjo arsye që gjithçka të përfundonte në një skenë të frikshme.

Image
Brunilda Zllami, mjekja neurologe

Dëshmia e mjekes neurologe

Brunilda Zllami, mjekja neurologe që punon në spitalin privat ku ndodhi ngjarja, e njohur edhe si shkrimtare, ka rrëfyer gjithçka pas ngjarjes në pavijonin e dializës ku humbën jetën 3 persona. Zllami tregon çdo detaj për atë që ndodhi në atë spital. “Rrallë më ndodh diçka e tillë. Isha në konsultë kur nga dritarja dëgjova zëra, zhurma dhe u bezdisa duke menduar me vete se kush flet me zë të lartë në oborrin e spitalit. Pastaj në korridor zhurma rrotash që ecnin me shpejtësi, zëra që nuk i identifikoja dot çfarë thoshin. Mendova me vete ndonjë urgjencë. Dola të pyes, kur pashë infermierë, doktorë që lëviznin me shpejtësi duke shtyrë krevatet e të sëmurëve. Diçka ka ndodhur tek dializa më thanë. Për pak minuta i gjithë spitali ishte përfshirë në ndihmën dhe përkujdesjen për të sëmurët. Pyeta për kolegët nëse ishin lënduar. Disa ishin djegur duke shpëtuar të sëmurët.

Pacientët e dializës janë të lidhur me makineri që bëjnë të mundur pastrimin e gjakut të tyre. Imagjinoni se sa e vështirë ka qenë për personelin. Të gjithë qëndruan deri sa mundën për t’i shpëtuar. Kërkova tek të sëmurët një paciente që ndiqja, e cila kishte dializë çdo të hënë. Nuk e gjeta në asnjërën nga dhomat ku ishin të sëmurët. Më kapi një ankth i tmerrshëm. Nuk doja ta mendoja se mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe. Më në fund e gjeta në urgjencë. Qante, dridhej nga tmerri. U mundova ta qetësoja, por isha e dëshpëruar. Nuk mund as ta imagjinoja se ç’kishin përjetuar kolegët e mi, as pacientët që të lidhur pas makinave e kanë parë veten mes flakëve e tymit. Nuk mundem as ta imagjinoj ku e kanë gjetur forcën për të mos lënë ankthin t’i kaplojë e për të sakrifikuar edhe veten në atë situatë”, ka rrëfyer për ngjarjen Brunilda Zllami.

Image
Dashamir Saraçi, personi që i vuri flakën pacientit

“Ai monstër nuk duhet të jetonte, veprime prej të çmendurish” 

Të zhytur në trishtim, në hyrje të Repartit të Djegie Plastikës në QSUT gjenden familjarët e Dashamir Saraçit, personi që i vuri flakën 57-vjeçari, Lefter Canaj. Me lot në sy, ata shprehen të dëshpëruar për gjithçka kishte ndodhur dhe shfaqin një zemërim të thellë ndaj personit që i spërkati me benzinë dhe i vuri flakën të afërmit të tyre. “Për atë person nuk gjejmë një emër që t’ia vendosim. Çfarë mund të themi për atë njeri që vret njerëz në një vend ku shkojnë për t’u shëruar. Ai nuk duhet të rrinte gjallë. Po si mund të jetonte ai me atë që bëri, mori jetë të pafajshme”, janë shprehur familjarët e 38-vjeçarit, teksa prisnin në derën e spitalit të merrnin sikur edhe një lajm të mirë nga doktorët. Ata shprehen më tej se edhe nëse mes Dashamirit dhe Lefterit do të kishte pasur një konflikt, nuk ishte kjo zgjidhja.

Familjarët thonë se mund të kishte gjetur një zgjidhje tjetër nëse Dashamiri do t’i kishte bërë diçka të keqe, por jo në këtë mënyrë pasi mori jetë njerëzish. “Pse zgjidhje është kjo që bëri ai. Mirë vetë iku nga kjo botë, por ato dy gra atje çfarë faji patën. Po jeta e Dashamirit, vallë si do të marrë tani. Nuk kemi shpresa fare deri tani, është bërë copa. Si mund të jetojë një njeri me atë djegie që ka pësuar Dashamiri. Ai nuk i hynte askujt në hak. Por, edhe nëse mes tyre do të kishte një konflikt sikur edhe flitet, nuk mund të ishte kjo zgjidhja. Vetëm kur e mendon është e tmerrshme, jo më ta përjetosh sikur e përjetuan edhe ata që ishin atje.

Edhe vetë ai person (Lefteri) nëse do ta mendonte mirë për pasojat që do të kishte, nuk duhet ta kishte kryer një akt të tillë. Ka zgjidhje të tjera plot. Por, si duket këtu në Shqipëri zgjidhja e vetme është vetëm ta vrasësh tjetrin. Këtu e shohin kënaqësinë këta. Tani Dashamiri quhet i vrarë. Shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet, por me ato çka na kanë thënë është shumë e vështirë”, janë shprehur ata. Ndërkaq, familjarët kanë theksuar se Dashamiri kishte më shumë se gjashtë muaj që merrte dializë në atë spital dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë incident. Edhe për këtë rast, nuk na ka treguar që kishte konflikt me ndonjërin.

Dashamiri thonë familjarët është një person që nuk përzihet me të tjerët dhe që shikon hallin e tij. “Ai kishte kohë që merrte dializë, mbi gjashtë muaj. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë gërricje të tillë. Ishte shumë i matur dhe për këtë rast nuk na ka folur kurrë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë, shikonte hallin e tij, nuk i ndërhyn askujt në pjesë. Por ja, gjëra të tilla edhe ndodhin dhe askush nuk i parandalon”, kanë përfunduar familjarët e Dashamir Saraçit.

Zbardhen pamjet në dhomën ku pacientët po merrnin dializë 

Gjithçka që ka ndodhur të hënën paradite në repartin e Hemodializës në spitalin privat, është filmuar nga kamera e sigurisë e cila ishte vendosur në dhomë. Nga pamjet filmike, dallohet mjaft qartë momenti kur 57-vjeçari Lefter Canaj i afrohet 38-vjeçarit Dashamir Saraçit, i cili në atë moment është duke marrë dializën.

Canaj e spërkat me shpejtësi me lëndën djegëse Saraçin, të cilën e mbante në çantën e tij personale. Autori arrin t’i vërë flakën nëpërmjet një çakmaku të cilin e nxjerr nga cepi, në një moment teksa ai rrëzohet për shkak të ambientit të lagur. Në pamjet e filmuara duket qartë se në momentin kur Canaj spërkat me benzinë, 38-vjeçari edhe pse i lidhur ngrihet nga krevati dhe përleshet fizikisht me autorin. E gjithë ngjarja zhvillohet në harkun kohor prej dy minuta.

Në atë moment ishte ora 10:56 minuta, ku autori ishte duke sistemuar disa rroba në çantën e tij. Ndërkohë dy viktimat e tjera të kësaj ngjarje, pacientet Sanije Sulaj 65-vjeçe dhe Anife Mali 55-vjeçe, si dhe objektivi i sulmit të tij Dashamir Saraçi janë duke marrë mjekim. Në dhomë ndodhet edhe një tjetër person, gjithashtu duke marrë dializë dhe, infermieri S. B., i cili në atë moment po kontrollonte pacienten Sanije Sulaj. Canaj nxjerr nga çanta një shishe benzinë 1.5 litra dhe, shkon drejt krevatit ku ndodhet Dashamir Saraçi. Canaj fillon ta spërkasë me benzinë.

Ndërsa 38-vjeçari Saraçi mundohet ta ndalojë duke u konfliktuar fizikisht me të. Autori në një moment rrëshqet për shkak të vendit të lagur me benzinë dhe nxjerr nga xhepi një çakmak duke i vënë flakën Saraçit. Në këtë moment shihet infermieri që përpiqet ta ndalojë 57-vjeçarin, por e ka të pamundur nga flakët që u përhapën me shpejtësi. Në filmime shihet se Saraçi, por edhe agresori Canaj marrin flakë, pasi të dy janë spërkatur me benzinë. Ndërkohë viktima Sanije Sulaj, e cila është vetëm 1 metër larg autorit merr flakë, pasi edhe krevati i saj u spërkat me benzinë. Viktima tjetër, Anife Mali ndodhej në krahun tjetër e pavetëdijshme për atë çka po ndodhte aty për shkak se ishte duke marrë mjekimin. Në video shihet edhe momenti kur autori i kësaj tragjedie, Lefter Canaj përpëlitet mes flakëve për të shpëtuar. Ndërkohë, 38-vjeçari Saraçi nuk shihet më për shkak të flakëve të mëdha. Në orën 10:58 minuta, reparti i Hemodializës është i përfshirë i gjithi nga flakët.

Nga kjo ngjarje humbën jetën menjëherë dy pacientet femra që merrnin mjekim atë moment, njëra nga asfiksia dhe tjetra u dogj totalisht nga flakët që përshkuan dhomën. Ndërsa viktima e tretë e ngjarjes është vetë personi që shkaktoi gjithçka. Infermieri i cili ndodhej në dhomë ka pësuar dëmtime, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat