Tarifa e Rrugës së Kombit, Ministria e Transportit reagon pas deklaratës së PD-së

Shqipëria

Tarifa e Rrugës së Kombit, Ministria e Transportit reagon pas deklaratës së PD-së

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 20:51
Rruga e kombit

Ministria e Transportit ka reaguar pas deklaratës së PD-së lidhur me anulimin e koncesionit të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Në deklaratën e saj, Ministria e Transportit i cilëson të pavërteta pretendimet e Partisë Demokratike dhe sqaron tarifën që do të aplikohet vitin që vjen në Rrugën e Kombit për automjetet, tarifat e veçanta për banorët e zonës dhe marrëveshjen me koncesionarin për mirëmbajtjen e rrugës.

E pavërteta e parë ka të bëjë me tarifën e aplikuar. Pretendohet se tarifa është 33% më e lartë se ajo e rekomanduar nga konsulenti. jo. Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa TVSH pra 3.63 euro cent për kilometër,  me qenë se rruga është 114.5 kilometra e gjatë. Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në korrik 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”. Konsulenti Egnatia Odos, financuar nga BERZH, në studimin për taksimin e rrugëve në Shqipëri, ka sugjeruar përdorimin e një tarife prej 3.5 euro cent për kilometër pa TVSh, dokumenti është prodhuar dhe miratuar në dhjetor 2015, ndërsa procesi i tenderimit kishte filluar tashmë prej më shumë se 1 viti. Diferenca me vlerën e përcaktuar nga IFC, institucion i Bankës Botërore, është vetëm 3.7 për qind çka konfirmon saktësinë e vlerësimit të bërë në 2014 nga IFC, institucion i Bankës Botërore.

Tarifa për përdorimin e rrugës është nën mesataren e rajonit. Kështu tarifa e aplikuar në Greqi varion nga 4.8 deri në 4.97 euro cent për /km, në Kroaci 4.94 euro cent për kilometër, në Maqedoni nga 3.33 deri në 4.47 euro cent për kilometër. Ndërkohë Shqipëria e ka 3,63 euro cent për kilometër.

Dëshirojmë t’i rikujtojmë opozitës, se në kohën kur procedura u zhvillua gjatë qeverisjes së kaluar, tarifa për përdorimin e rrugës nuk u përcaktua nga qeveria, por u parashikua të ishte pjesë e ofertës së koncesionarit, dhe pritshmëria e qeverisë se kohës ishte në vlerën 8.4 euro me TVSH, ose 7 euro pa TVSH ose 6.14 euro cent për km ose 69% më e lartë se tarifa që kundërshtohet sot nga opozita.

E pavërteta e dytë ka të bëjë me pretendimin për ndikimin në ekonominë e banorëve të zonës. Sqarojmë se për banorët e zonës do të ketë tarifa të tjera duke aplikuar në bashkëpunim me ifc dhe supervizorin një skemë lehtësimi të ndjeshëm dhe përjashtimi për tarifat që do të aplikohen për banorët e zonës. Gjithashtu do të jenë të përjashtuara nga pagimi i tarifës të gjitha mjetet e shërbimeve publike dhe të ushtrisë.

E pavërteta e tretë ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrugës. Koncesioni parashikon investime kapitale nga koncesionari në shumën 50.6 milionë euro si investim fillestar të domosdoshme për përfundimin e kësaj rruge, ndërtimin e urës së re të Kukësit, për lidhjen e re me  rrugën Kukës-Morinë si dhe për përmirësimin e skarpatave të rrugës të cilat nga shkarjet dhe rëniet e vazhdueshme kanë rrezikuar seriozisht deri edhe jetën e përdoruesve të rrugës. Me tej koncesionari investon edhe 320 milion të tjera gjatë periudhës koncesionare në mirëmbajtje dhe operim të rrugës.

E pavërteta  4, ka të bëjë me nevojat për mirëmbajtje të kësaj rruge dhe rrugëve në përgjithësi. Ndryshe nga sa pretendohet nga opozita, vetëm gjatë 2 viteve të fundit janë investuar në infrastrukturën rrugore kombëtare rreth 40 milion USD në mirëmbajtje dhe sinjalistikë, investime të paprecedenta në vitet e mëparshme. Për të mos përmendur projektin 5 vjeçar ku së bashku me B.B qeveria do investojë rreth 130 milion dollarë për mirëmbajtjen e 1 300 km kryesore të rrjetit rrugor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat