Gjyqi i Mark Frrokut, ja çfarë thanë dy dëshmitarët e parë

Shqipëria

Gjyqi i Mark Frrokut, ja çfarë thanë dy dëshmitarët e parë

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 12:20
Mark Frroku

Gjykata e Tiranës ka dëgjuar dje dëshmitarët e parë të thirrur nga prokuroria në procesin gjyqësor, në ngarkim të ish-deputetit Mark Frroku, ndaj të cilit rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim”, “pastrim parash”, “fshehje e pasurisë” dhe “ndërtim i paligjshëm”. Dy dëshmitarët e parë kanë folur në favor të Frrokut.

Dëshmitari i parë ishte vëllai i Kristian Marinajt, të bashkëpandehurit të Frrokut për vrasjen në Belgjikë, i cili gjykohet në proces të veçuar nga gjykata e kryeqytetit. Altin Marinaj ka rrëfyer takimin e zhvilluar mes anëtarëve të fisit të tij dhe Frrokut, me familjarët e Aleksandër Kurtit, shqiptarit të vrarë më 1999, në Belgjikë, për eliminimin e të cilit akuzohet Frroku dhe Kristian Marinaj. Kjo mbledhje, e detyruar për forcë zakoni veriore, mësohet se është zhvilluar më 7 dhjetor 2000. “Janë mbledhur burrat e fisit dhe kanë bërë be përpara familjarëve të Aleksandër Kurtit, se asnjëri prej tyre nuk kishte lidhje me vrasjen e Kurtit”, u shpreh dëshmitari. Sipas tij, pas këtij momenti, mes familjarëve të tij dhe atyre të viktimës nuk ka pasur asnjë konflikt.

Dëshmitari i dytë, Ervin Canollari iu përgjigj pyetjeve lidhur me ortakërinë që kishte me Frrokun, për një pikë bastesh. Canollari tha se është njohur me Mark Frrokun në vitin 2006. “Dy vjet më vonë, në vitin 2008, u krijua kompania e basteve, të cilën unë e bleva 10 milionë lekë, pra 100 për qind të aksioneve”, tha ai.

Canollari u shpreh se ishte bërë ortak me Frrokun një vit më vonë, kur Frroku i kishte blerë 50 për qind të aksioneve me shumën prej 5 milionë lekësh. Dëshmitari sqaroi se kishte hequr dorë nga pronësia e kompanisë së basteve, pasi aksionet ia kishte shitur më 2013, një shtetasi nga Izraeli. Dëshmitari theksoi se gjatë administrimit të kompanisë së basteve që kishte me Frrokun, bilanci i biznesit ishte pozitiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat