Ceremonia e reformës: Ja thumbat mes Ramës dhe Metës

Shqipëria

Ceremonia e reformës: Ja thumbat mes Ramës dhe Metës

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 09:41
Ilir Meta

Shigjeta dhe etiketime dykuptimëshe mes dy drejtuesve të koalicionit qeverisës në ceremoninë e organizuar nga Komisioni i posaçëm për miratimin e Reformës

Takimi “Reforma në drejtësi; sfida e së sotmes, garancia e së ardhmes”, organizuar në Pallatin e Brigadave nga kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj nuk ishte një shans i mirë për një konsensus të dytë.

Opozita nuk u bë pjesë e saj.

Dy ditë më parë nënkryetari demokrat i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi mungesën në këtë pritje, duke thënë se është koha për angazhime serioze dhe jo për vetëkënaqësi.

Një deklaratë kjo që nuk kaloi pa ironi në fakt edhe nga kreu i kuvendit, Ilir Meta, i cili përcolli disa mesazhe në fjalën e tij të goditur para të ftuarve.

“Një falënderim të veçantë e kam për Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Xhafaj dhe njëkohësisht përfaqësuesit e mazhorancës në Komision që janë sot këtu me ne, pasi z. Xhafaj ishte edhe iniciatori në emër të Komisionit për këtë event. Por një falënderim akoma më të veçantë e kam për nënkryetarin e këtij komisioni, z. Bylykbashi dhe për anëtarët opozitarë të këtij komisioni, që në këto momente janë duke punuar me ligjin për vetingun…”, – e filloi fjalën Meta.

Një falenderim i veçantë i tij edhe për Venecian.

“Një falënderim të jashtëzakonshëm e kam për Komisionin e Venecias. Nëse unë do të kisha sot dy fjalë që t’i shoqëroja me thirrjen ‘rroftë’ si një herë e një kohë, do të ishte ‘Rroftë Venecia, rroftë konsensusi’”, -shtoi ai.

Sipas tij, në mesnatën e 21-22 korrikut lindi një konsensus unanim, që mbetet domosdoshmëri.

“…Kjo reformë kushtetuese, historike, e drejtësisë, që u kurorëzua me një konsensus historik, ishte dhe mbetet domosdoshmëri që duhet të vazhdojë me konsensus. Jo vetëm për ligjin e vetingut, i pari që duhet miratuar, dhe shtatë ligjet e tjera, por për të 40 ligjet që mbështesin realizimin dhe zbatimin me sukses të kësaj reformë…”, – tha ai.

Falenderim për këtë proces, Meta kishte edhe për opozitën.

“…E falënderoj opozitën, sepse ndryshe nga gabimi historik që ajo bëri duke zgjedhur mos përfshirjen në realizimin e një reforme tjetër historike të vendit, atë administrative-territoriale, edhe pse me vonesë, ajo u përfshi, dhe sikurse e përmendi dhe me të drejtë edhe Presidenti i Komisionit të Venecias, z. Buquicchio, ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm dhe substancial për përmirësimin e drafteve të para …”, tha ai.

Por një mesazh, Meta e kishte edhe për kolegët e mazhorancës.

“Nuk duhet të harrojmë se dikur kemi qenë të gjithë në opozitë. Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një demokraci e pakthyeshme, ku rotacioni është i pashmangshëm për të gjithë ne dhe një ditë përsëri do të jemi në opozitë. Unë e kuptoj ndonjëherë kur opozita kërkon tension, por nuk besoj kurrë se është interesi i mazhorancës dhe i qeverisë që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e detyrojmë të duket më keq, sepse kjo nuk e ndihmon Shqipërinë, për të cilën ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë kryesore sot, që të duket më mirë përpara BE-së, përpara NATO-s dhe SHBA-ve, përpara të gjitha vendeve partnere në rajonin tonë…”, – tha ai.

Ai ftoi të dy palët që të punojnë jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për reformat jetike në vend. Sepse për Ilir Metën mbi të gjitha prevalon Shqipëria pas 30 vjetësh.

“Unë dua t’iu them shumë sinqerisht që për Ilir Metën si Kryetari i Kuvendit, nuk ka rëndësi se ku do të jetë pas një viti në zgjedhjet e ardhshme, as pas 10 vjetësh dhe as pas 30 vjetësh. Për Ilir Metën si shqiptar ka rëndësi ku do të jetë Shqipëria pas 30 vjetësh. I ftoj të gjithë kolegët e mi që në këtë moment kaq të rëndësishëm dhe historik, kur me votimin e mesnatës së 21-22 korrikut i kemi dhënë një shpresë popullit shqiptar, të ngrihemi në lartësinë e këtij momenti historik…”, – shtoi ai.

Meta falenderoi të gjithë ambasadorët që morën pjesë në këtë proces, zv-ndihmës sekretaren e shtetit, Viktoria Nuland dhe komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Një falënderim të veçantë e kam për Kryeministrin Rama, iniciatorin e kësaj reforme. Një falënderim të veçantë e kam për kryetarin e opozitës z. Basha, i cili në dy muajt e fundit bëri përpjekje të lavdërueshme sipas mendimit tim për të ecur në rrugën e duhur sepse rruga e konsensusit është drejtimi i duhur për Shqipërinë e 30 viteve që vijnë…”, – vërejti ai.

Rama: Data e reformës, Meta mes meje dhe Berishës

Ashtu si kryetari i LSI-së, Ilir Meta, edhe kryeministri Edi Rama zgjodhi fjalë thumbuese.

Gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave, Rama nuk e përmendi Metën si faktor në miratimin me konsensus të reformës, por la të kuptojë në një paragraph për të se kreu i LSI-së në këtë debat politik ndodhet në mes.

“Sot falë votimit të 21 korrikut, unë hyj te shumica dërrmuese e shqiptarëve që besojnë se këtë reformë nuk e ndal dot më asgjë dhe asnjë. Qesha, sepse unë thashë: “21 Korriku”; Sali Berisha thotë: “22 korriku”, Kryetari i Kuvendit thotë: “mesnata mes 21 dhe 22 korrikut”, – tha Rama, batuta e të cilit u përcoll me të qeshura nga Meta.

Për kryeministrin e vendit, tre ishin faktorët që çuan në miratimin me konsensus të reformës.

“Së pari, presioni i vullnetit popullor, që u mishërua natyrshëm qysh në krye të proçesit, në bashkëpunimin e shumicës qeverisëse me aleatët strategjikë të Shqipërisë. Së dyti, presioni i pazakonshëm i aleatëve strategjikë mbi bllokun kundër reformës, që arriti një kulmim vendimtar në fund të procesit. Së treti, presioni që krijoi brenda atij blloku, kurajo e disa deputetëve që garantuan shumicën kushtetuese për votimin e reformës…”, – tha Rama.

Ai e rinënvizoi rolin e këtyre tre faktorëve edhe për një arsye tjetër.

“Jo se dua të ushqej një polemikë të sajuar për të mbuluar diellin me shoshë, as se më intereson dueli për fronin e fitimtarëve, sepse modestisht besoj që këtu ka fituar Shqipëria; Shqipëria është shumë më e madhe se cilido prej nesh, dhe të gjithë ne të marrë së bashku, – por sepse dua të ndaj me të gjithë një bindje që rruga e kësaj reforme kaq radikale, nuk është më e lehtë tani që kaloi reforma kushtetuese, por do të jetë e vështirë në çdo hap, qoftë me 7 ligjet urgjente që kanë radhën tani, qoftë me zbatimin e tyre që është një histori krejt më vete dhe me dhjetëra ligjet e tjera që janë në planin e punës kolosale për këtë reformë…”, – tha ai.

Rama theksoi se kjo reformë nuk do të ndalet ndërsa përcolli lojëra fjalësh lidhur me rolin e Venecias në këtë proces.

“Fati e solli që Shqipërisë së kësaj periudhe ndryshimesh intensive dhe ngjarjesh kaq të posaçme t’i gjenden pranë disa Xhanë, që nga Gianni De Biasi, tek Gianni Buquicchio. I pari, një lider betejash emocionuese të kombëtares sonë në fushat e blerta të sportit më popullor në botë; i dyti, një udhërrëfyes i urtë për të gjithë ne, në ujërat e trazuara të procesit të reformës më themelore për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. I dashur Gianni, ti duhet ta mësosh sot se fjala Venecia është përdorur në Shqipërinë e gjashtë muajve të fundit, më shumë se ç’është përdorur nga të gjitha agjencitë turistike të botës, të marra së bashku. Ne, deputetëve shqiptarë, na kanë munguar vetëm gondolat në sallën e Kuvendit, për t’u ndjerë gjatë çdo sesioni si një grup turistik në zemër të ujërave të Venecias. Ndërkohë, – dhe ky është fakt, – fluksi i turistëve shqiptarë drejt Venecias këtë vit është më i larti i të gjithë kohërave, falë kësaj reklame marramendëse dhe të papërsëritshme që i është bërë në Shqipëri qytetit të ujit, për shkak të përfshirjes së Komisionit të Venecias në procesin e jashtëzakonshëm të Reformës në Drejtësi…”, – tha ai.

Ambasadori Lu: Fitorja e reformës i takon popullit shqiptar 

Ambasadori amerikan, Donald Lu deklaroi dje se me reformën në drejtësi fitoi populli.

Duke folur në takimin “Reforma në drejtësi; sfida e së sotmes, garancia e së ardhmes”, organizuar në Pallatin e Brigadave nga kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj, ndryshe nga politika, ai gjeti një tjetër fitues, popullin shqiptar.

“Fitore e kujt ishte votimi i të premtes së kaluar? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë në Tiranë. Ishte fitore e udhëheqësve e të partive politike, medias, komunitetit ndërkombëtar apo individualisht deputetëve? Unë e di kush e meriton nderimin. I takon një grupi njerëzish që nuk janë këtu. I takon miqeve tuaj, komshive tuaj dhe anëtarëve të familjeve tuaj. I takon popullit shqiptar. Kam folur me dhjetëra deputetë muajt e fundit se cili prej tyre me tha të njëjtën histori, se donin të votnin këtë reformë me patjetër, sepse nëse nuk e bënin, kishin frikë se kur të ktheheshin në shtëpi, tek gratë dhe burrat dhe fëmijët e tyre të gjithë prisnin që ata të miratonin këtë reformë. Historia do të rregjistrojë shumë heronj dhe anti-heronj nga javët e fundit të debatit për reformën në drejtësi. As një hero nuk është aq i fuqishëm sa zëri i qytetarëve shqiptarë…”, –tha ai.

Ambasadori amerikan nuk la pa kujtuar sërish fenomenin e krijuar në Shqipëri nga politikanët shqiptarë lidhur me makinat luksoze që ata përdorin, duke bërë një lidhje llogjike me reformën në drejtësi.

“Mijëra njerëz e kanë kërkuar reformën në drejtësi, qytetarët janë mbledhur me pankarta në duar para Parlamentit dhe kërkonin reformën në drejtësi. Ndërsa mercedezët dhe BMW e zeza me ajër të kondicionuar kalonin përpara tyre. Ata ishin studentë, pensionistë dhe të papunë optimist që besonin ende në këtë vend. Kërkonin drejtësi. Urime popullit shqiptar, ky është suksesi juaj…”, – tha ai

Venecia, Buquicchio: Legjislacioni të miratohet pa vonesa

I ftuar në aktivitetin e djeshëm të organizuar nga Fatmir Xhafaj, në Pallatin e Kongreseve ishte edhe Presidenti i komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.

Gjatë fjalës së shkurtër të mbajtur me këtë rast, Buquicchio kërkoi që të fillojë sa më parë zbatimi i reformës.

“E gjithë arkitektura e reformës përsa i përket proçesit të vettingut mbështetet tek përfshirja e aktorëve ndërkombëtarë. Është e vërtetë që të huajt nuk mund të marrin përgjegjësi për atë që ndodh në vend. Shqipëria është një vend sovran. Ne e kemi ndjekur nga afër procesin sesi po formësohej procesi dhe kam kuptuar edhe kritikat e opozitës për projektet e mëparshme të reformës. Shumë prej këtyre shqetësimeve janë marrë parasysh në tekstin përfundimtar. Unë mendoj që opozita nuk duhet që të mos pranojë propozimet që vijnë nga mazhoranca thjesht se ato vijnë nga mazhoranca, po ashtu edhe mazhoranca nuk duhet ta shohë kritikën nga opozita si një lloj kritike që minon punën e bërë. Të dyja palët kanë shumë punë për të bërë. Kështu që unë mendoj që legjislacioni zbatues duhet të hartohet dhe miratohet pa vonesa të mëtejshme…”, – tha ai.

Për zbatimin e reformës foli edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

“Dëshiroj t’ju falenderoj për punën që keni bërë për këtë reformë, për ekspertët shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për personelin e Kuvendit. Falenderoj median që na ka mbëshetur, falenderoj komisionin e Vencias i cili është udhërrëfyesi ynë. Për mua ky rast është jo vetëm festimi i diçkaje që ka filluar por edhe fillimi i punës për miratimin e ligjeve”, – tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat