Shtohen fondet për pronarët

Shqipëria

Shtohen fondet për pronarët

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 07:56
Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti, teksa sipas ndarjes së re do të jenë pronarët ata që do të përfitojnë nga shtimi i fondeve. Kështu, për ta qeveria ka miratuar fondin shtesë prej 600 milionë lekësh, para të cilat do të shkojnë veçanërisht për kompensimin e vendimeve të viteve 1993-1994 dhe për kompensimin e familjeve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje, duke e çuar fondin në total 3.6 miliardë lekë. Një vit më parë, qeveria ndau për këtë kategori 1.6 miliardë lekë, ndërsa, për në fillim të vitit 2016 u vunë në dispozicion 3 miliardë lekë.

Po ashtu, rritje të fondeve pëson edhe buxheti i sigurimeve shoqërore, pas një sërë vendimesh që janë marrë gjatë këtij viti, si ai i pagesave të debive për ushtarakët, rritjen e masës së pensioneve për ata që kanë mbushur vitet e punës në vitet 1993-1996, si dhe rritja e fundit në masën 1.6 për qind për 635 mijë pensionistët. “Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar, duke mbuluar nga buxheti i shtetit diferencën midis këtyre kontributeve me masën e kontributit të përcaktuar për personat e vetëpunësuar në qytet.

Për vitin 2016, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve të sigurimit shoqëror dhe programeve të tjera të veçanta e suplementare, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve”, thuhet në vendim, teksa të ardhurat totale nga skema e sigurimeve shoqërore llogariten me rishikimin e fundit në masën 107 miliardë lekë. Ndërkohë, fondi për të përndjekurit politikë, i miratuar në fillim të vitit shkon me ulje, teksa është vendosur që të hiqen 800 mijë lekë, nga shuma e akorduar në fillimvit 2,036,800 lekë. Sidoqoftë, mbetet një shumë e papërfillshme, por që mund të vonojë ecurinë e dëmshpërblimeve. Aktualisht, për ish-të dënuarit po ndahet kësti i gjashtë, teksa deri në fund të vitit Ministria e Financave do të ndajë edhe pjesën e mbetur të parave, rreth 500 milionë lekë.

Buxheti

Sipas dokumentit të publikuar në fletoren zyrtare, të ardhurat janë ulur me 4 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet janë ulur 3 miliardë lekë, krahasuar me parashikimet e fillimvitit. Rënie ka shënuar dhe numri i përgjithshëm i punonjësve të administratës publike. Në buxhetin e rishikuar rezultojnë në total 80 970 punonjës, ose 177 më pak se në fillim të vitit. Siç edhe qe paralajmëruar, bëhet fjalë për rialokime të vogla të shpenzimeve buxhetore, ku vërehen ulje të fondeve për pjesën më të madhe të institucioneve, ndërkohë që në rritje janë buxhetet e pak Ministrive, si ajo e Transporteve.

Me ulje fondesh do të përballen Presidenca, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes apo e Zhvillimit Urban. Ndërkohë, me buxhete në rritje janë Kryeministria, Kuvendi, Ministria e Energjisë dhe ajo e Bujqësisë. Ministria që do gëzojë shtesën më të madhe të fondeve për pjesën e mbetur të vitit është ajo e Transporteve, buxheti i së cilës do të rritet me thuajse 1.8 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje, rreth 1 miliardë, është vënë në dispozicion të projekteve rrugore.

Fondi rezervë 

Fondi rezervë i buxhetit ishte 1 miliardë lekë ndërsa me rishikimin e buxhetit ka shkuar në prej 1, 6 lekë dhe do të përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i kontigjencës prej 2 200 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për ekzekutimin e pagesave për detyrime ndërkombëtare, si dhe për shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.

Deficiti 

Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit është 35,7 miliardë lekë, nga i cili 2,6 miliardë lekë financohet nga të ardhurat e privatizimit. Huamarrja totale nga burime të brendshme dhe të huaja është 33,1 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.

Buxheti për vitin 2016 është:

Të ardhurat 414 494 milionë lekë;

Shpenzimet 450 224 milionë lekë;

Deficiti 35 730 milionë lekë.

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2016 është:

Të ardhurat, gjithsej 3 600 milionë lekë;

Nga të cilat:

- të ardhura të tjera 1 600 milionë lekë.

- transferimet nga buxheti i shtetit 2 000 milionë lekë.

- shpenzimet 3 600 milionë lekë.

Fondi për kompensimin e të përndjekurve

Ishte: 2,036,800

Bëhet:2,036,000

-800 000 lekë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat