Vetingu nis nesër në Kuvend: Ja pikat e debatit mes PS-PD

Shqipëria

Vetingu nis nesër në Kuvend: Ja pikat e debatit mes PS-PD

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 09:38
Foto arkiv

Të martën komisioni i posaçëm i reformës do të diskutojë projektligjin për rivlerësimin e figurës së gjykatësit dhe prokurorit. Ajo që pritet të sjellë diskutime janë disa nene të veçanta që lidhen me standardet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Mbledhja e ditës së martë të komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk do të jetë një formalitet për të plotësuar proçedurat me qëllim futjen më pas të projektligjit për vetting-un në një seancë të jashtëzakoshme parlamentare.

Anëtarët demokratë në këtë komision pritet që të paraqesin objeksionet e tyre lidhur me projektligjin e përgatitur nga OPDAT dhe EURALIS.

Qëllimi i i këtij drafti është përcaktimi i rregullave të posaçme për rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky proçes do të shërbejë për të vlerësuar përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral, si dhe për të zbuluar shkallën e pavarësisë në punën e tyre nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.

Drafti synon të rregullojë parimet e organizimit dhe proçedurat për rivlerësimin pa cënuar standardet e procesit të rregullt ligjor, me qëllim që rezultatet e këtij rivlerësimi të shërbejnë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur.

Deri këtu demokratët ndajnë të njëjtin mendim që pak a shumë është edhe fryma që përcjell projektligji. Ajo që do të sjellë diskutime janë disa nene të veçanta që lidhen me standardet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të pasqyruara kryesisht në nenin 33 paragrafi 3 që vijon më pas me nenin 34 të projektligjit.

Në këtë të fundit (neni 34 pika 2) thuhet se brenda 10 ditëve nga përfundimi i kontrollit dhe i verifikimit, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar i paraqet Komisionit: (a) Një dokument/raport publik që përcakton nëse subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, plotësisht dhe me vërtetësi; nëse ka informacion në deklarimin e tij ose gjetkë që tregon se subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, si dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.

Ky dokument përmban informacion mbi kontaktet dhe kushtet e parashikuara në një tjetër paragraf të nenit 33 ku sqarohet se rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur: a) subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar; b) subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një telefonatë me një person të përfshirë në krimin e organizuar; c) subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar. ç) subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar; d) subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e skeduar në rregjistrat përkatës.

Një tjetër pikë që pritet të përfshihet për diskutim është edhe neni 50 i projektligjit ku ndër të tjera thuhet se të gjithë personat që kanë qenë viktima të korrupsionit nga prokuroria dhe gjykatat, duke dhënë para në shkëmbim të marrjes së drejtësisë apo edhe të një vendimi të padrejtë në dëm të një tjetri do të kenë mundësi që të vendosin fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve përgjegjës.

Drafti

Për kryerjen e proçesit të rivlerësimit krijohet një Komision i Pavarur i Kualifikimit që do të bëjë vlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, pavarësisht nivelit dhe juridiksionit.

Ai do të ketë mandat të kufizuar për 5 vjet. Anëtarët e Komisionit do të jenë juristë të cilët kanë përvojë të gjatë (të paktën 15 vjet) si gjyqtarë, prokurorë, avokatë ose profesorë të së drejtës, si dhe që gëzojnë reputacion të lartë.

Vendimet e Komisionit mund të ankimohen nga subjekti i rivlerësimit ose Komisioneri Publik. Ankimi do të shqyrtohet nga Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

I gjithë procesi i rivlerësimit do të kryhet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e besueshmërisë ndaj procesit. Procesi i rivlerësimit do të përfshijë kontrollin tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve në 3 komponentë: pasuritë e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe subjekteve të tjera, zbulimin ose identifikimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, vlerësimin e punës së kryer, si dhe aftësitë e tyre profesionale.

Nëse rezultati përfundimtar i njërit prej komponentëve ose vlerësimi tërësor i të tre komponentëve rezulton i pamjaftueshëm, Komisioni ose Kolegji i Apelimit do të vendosin detyrimin e subjektit që rivlerësohet të ndjekë programin e posaçëm për riaftësim pranë Shkollës së Magjistraturës për një vit.

Nëse subjekti merr vlerësim negativ, këto organe vendosin deri në largimin nga detyra.

Një ndër nenet e debatueshme

Neni 33

Standardet e Kontrollit e Figurës

Kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta, në informacione konfidenciale, si dhe informacione të tjera të disponueshme.

Kontrolli i figurës, kryhet në mënyrë objektive pa ndikime të karakterit personal, armiqësore dhe miqësore, të cilat mund të favorizojnë apo disfavorizojnë subjektin e rivlerësimit.

Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur: a) subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar; b) subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një telefonatë me një person të përfshirë në krimin e organizuar;. c) subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar. ç) subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar. d) subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar. Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e skeduar në regjistrat përkatës.

Seanca e jashtëzakonshme, diskutimet fokusohen për mesin e gushtit   

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi pak ditë më parë se pushime për deputetët mund të kishte deri më 11 gusht.

Më pas, ai la çdo gjë të hapur, përfshi ketu edhe mundësinë për zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme për të kaluar së pari draftin për kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se seanca e jashtëzakonshme parlamentare mund të zhvillohet mes një periudhe kohore 11-18 gusht.

Javës që kaloi, ndërkombëtarët vijuan takimet intensive për reformën në drejtësi me qëllim kalimin sa më parë të 7 ligjeve që do të mundësonin zbatimin e ndryshimeve të reja kushtetuese.

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe ai i SHBA-së Donald Lu zhvilluan takime të ndara me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj por dhe me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Ky i fundit, menjëherë pas kthimit nga SHBA-ja, siguroi se do të respektohen të gjitha afatet, duke paralajmëruar se zhvillime konkrete do të kishte pas 11 gushtit ditë në të cilën hyjnë në fuqi edhe ndryshimet kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat