Qeparoja, model zhvillimi i agro-turizmit

Shqipëria

Qeparoja, model zhvillimi i agro-turizmit

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 13:16
Qeparo

Fshati Qeparo në jug të vendit, si një nga zonat bregdetare më të bukura të Shqipërisë, mund të kthehet në një model të zhvillimit të agro-turizmit shqiptar.

“Udhëtar në zabelet me ullishta” është projekti më i ri i bashkëpunimit shqiptaro-hollandaze, i cili synon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, përmes këshillimeve të banorëve, prodhuesve të zonës, që të mendojnë ndryshe e më mirë rreth turizmit si mundësia kryesore ekonomike që ata kanë.

Ekspertë holandezë të arkitekturës, urbanizmit dhe agro-turizmit bashkë me specialistë shqiptarë të fushës, po inspektojnë nga afër këto zona duke orientuar banorët për mundësinë  e zhvillimit të agro-turizmit.

Sipas ekspertëve, fshati Qeparo është zgjedhur si vendi më i përshtatshëm për të ngritur modelin e këtij biznesi, pasi aty bashkohen më së miri të gjithë faktorët në agro-turizëm.

Ekspertët  holandezë ndërkohë thanë se, në Shqipëri sezoni turistik është i shkurtër, vetëm në kohën e plazhit. ”Të bësh biznes vetëm një muaj e gjysmë për ekonominë është shumë vështirë. Shqipëria ka shumë garë edhe me vendet fqinje në turizëm. Por kur turizmi kombinohet me kulturën, aventurën dhe kulinarinë me prodhime të shëndetshme bio, bëhet më i fuqishëm. Ne do të donim që në Qeparo të ngrihej një qendër informacioni turistik, shkollë turizmi, shkollë kuzhine, një qendër edukimi ku njerëzit të mësojnë se si mund të bëjnë turizëm të nivelit të lartë, të ketë një treg për mjaltin, vajin e ullirit, që mbledh bashkë gjithë prodhuesit e zonës”, shprehen ata.

Projekti ndihmon në krijimin dhe zhvillimin e ideve të duhura që rrisin të ardhurat në ekonomi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat