KQZ i jep mandatin Dhurata Çupit, zëvendësoi Sherefedin Shehun

Shqipëria

KQZ i jep mandatin Dhurata Çupit, zëvendësoi Sherefedin Shehun

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 13:14
Sherefedin Shehu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të martën që t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit kandidatit të radhës në listën shumëemërore të Partisë Demokratike,
znj. Dhurata Çupi.

Çupi, që zëvendëson në këtë detyrë deputetin Sherefedin Shehu, i dorëhequr për shkak të konkurimit të tij në zgjedhjet për kryebashkiak në Dibër, është deputetja e 32-të grua e parlamentit shqiptar.

Pas miratimit të këtij vendimi nga KQZ, kryetarja Lefterije Luzi, në një koment të saj, u shpreh entuziaste për numrin në rritje të grave deputete gjatë kësaj legjislature, ndërsa foli për një përmirësim të kuotave gjinore në të ardhmen.

“Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2013 në përbërjen e Kuvendit ishin 25 femra. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, numrin e grave do ta kishim edhe më të madh, por shumë prej tyre janë dorëhequr për shkak të angazhimeve apo presioneve, dhe kjo mbetet të analizohet në një fazë tjetër. Është shumë e rëndësishme që kuotat gjinore të respektohen nga partitë. Nga 31 femra që rezulton sot numri i tyre në Kuvend, me futjen e Dhurata Çupit numri i tyre shkon në 32 femra ose 22.8 për qind. Një shifër kjo shumë e mire, e konsiderueshme, duke shpresuar se numri do të rritet në të ardhmen”.

Nga 6 deputetët e listës shumëemërore të PD-së për qarkun Dibër, znj. Çupi ishte e 6 në listë, ku marrja e mandatit prej saj është në respekt të kriterit të gjinisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat