Ringjallja e Fishtës - Në fshatin ku dikur burgoseshin njerëz, sot turizëm dhe shpresë

Shqipëria

Ringjallja e Fishtës - Në fshatin ku dikur burgoseshin njerëz, sot turizëm dhe shpresë

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 19:33
ilustrim

Fshati Fishtë i Lezhës, ku dikur burgoseshin kundërshtarë të regjimit komunist, sot është shndërruar sukseshëm në një destinacion turistik. Janë të shumtë turistët që vizitojnë çdo ditë vendin e homerit shqiptar at Gjergj Fishta. Në të gjejnë kunarinë tradicionale të zonës, turizmin malor dhe atë liqenor.

Dikur njihej si një nga vendet ku burgoseshin dhe torturoheshin ata që guxonin të kundërshtonin sistemin në Shqipëri.

Bëhet fjalë për fshatin Fishtë të Lezhës, vetem 17 km larg qendrës së qytetit.
Ky fshat është krijuar në vitin 1641, ndërsa banorët kanë prejardhje nga zona e Mirditës.

Sot Fishta ka një popullsi prej gati 1 mijë banorësh.Kjo zonë shtrihet në zemer të Zadrimës, ndërsa peisazhi që të ofrohet është mjaft mbreslënës.

Historiani i zonës, Paulin Zefi, rrëfen mbi historikun e këtij fshati, në të cilin ka lindur dhe është rritur edhe Homeri shqiptar, poeti At Gjergj Fisha.

Rrënojat e ish-burgut që ka qenë në këtë zone janë edhe në ditët e sotme, si një dëshmi dhe fakt që tregon vuajtjet që kanë kaluar me qindra persona që kudërshtonin regjimin e asaj kohe.

Ky burg është hapur në vitin 1967 dhe më vonë ka funksionuar edhe si kamp internimi për shumë familje.

Lin Shtjefni, banor i Fishtës, rrefen se regjimi ka qenë shumë i egër, kryesisht për ata që kundërshtonin. Madje sipas tij, nga turturat ka pasur edhe raste kur personat kanë vdekur.

Por sot pas disa vitesh, Fishta e Lezhës është kthyer në një destinacion turistik që po tërheq vëmendjen e mijëra personave brenda dhe jashtë vendit.

I pari që ka guxuar që të investojë në këtë vend është Altin Prenga.

6 vite më parë ai hapi një restorant të thjeshtë me emrin “Mrizi i Zanave”, ndërsa gjithçka e lidhi me veprën e Homerit shqiptar, poetit At Gjergj Fishta.

Restorantin ai e ka ndërtuar shumë pranë vendit ku dikur ka qenë burgu, ndërsa sot “Mrizi i Zanave” njihet si një nga restorantet më në zë të vendit tone, por edhe më gjerë.

Altini rrëfen se ideja ka qenë të krijojë një agroturizëm në vendlindjen e tij, duke rrëfyer se fillimi ka qenë tepër i vështirë.

Po zhvillimi që ka njohur zona ka ndikuar edhe në ekonomitë familjare të shumë familjeve.

Altin Prenga thotë se janë mbi 200 familje që janë të lidhura direkt me biznesin e tij, pasi e furnizojnë me prodhime bujqësore dhe blegtorale.

Ajo çfarë e ka bërë fillimisht Fishtën të vizitueshëm është gastronomia.Gatimet tradicionale të zonës janë të gjitha bio.

Vizitorët vendas dhe të huaj thonë se ky fshat të ofron gjithçka, duke nisur nga natyra dhe gatimet që sipas tyre janë shumë të shijshme.

Turisti spanjoll: “Për mua është hera e parë që vi këtu në Fishtë. Më kishin thënë të tjerat se këtu është një vend i mrekullueshem dhe guxova të vi.Ashtu më ka rezultuar vërtetë, jam shumë i befasur nga ushqimi, natyra këtu, me pak fjalë të ofrohet gjithçka. Unë sapo të iki në Spanjë do t’ju them të gjithë miqve të vinë që të vizitojnë Fishtën, pasi këtu është një mrekulli e vërtetë”.

Turisti izraelit: “Këtu është një vend shumë i bukur që ja vlen të vizitohet.Unë kam ardhur edhe herë të tjera dhe më ka lënë shumë përshtypje.Një nga arsyet që vi unë këtu janë njerëzit, që janë shumë të mirë, por mbi të gjitha janë ushqimet që të sërviren”.

Turistja izraelite: “Këtu më pëlqejnë gatimet, të cilat në këtë fshat dhe në restorantin në fjalë janë specifike.Unë si kisha provuar ndonjëherë askund këto llojë gatimesh.Për mua është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe më ka lënë përshtypje shumë të mira si vend. Miqtë dhe të afërmit e mi nuk dinë dhe nuk e njohin Shqipërinë, por sa të kthehem dua t’ju sugjeroj që ta vizitojnë këtë vend, pasi vërtete ja vlen”.

Si rrallë në ndonjë vend tjetër, në Fishtë gërshetohen me njëra-tjetrën kodra, mali, fushat dhe dy liqenet që ndodhen këtu.

Fishta e Lezhës ju fton për ta vizitur, ndërsa një gjë është e sigurtë për të gjithë ata që kanë shkelur në këtë vend të paktën njëherë, rikthimi është i pashmangshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat