“Të kam parë me zyshën te moteli, dua 200 mijë lekë”, ish- nxënësi shantazhonte drejtorin

Shqipëria

“Të kam parë me zyshën te moteli, dua 200 mijë lekë”, ish- nxënësi shantazhonte drejtorin

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 10:16
Resmi M

Një nxënës 16-vjeçar i vendos gjobë drejtorit të shkollës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, kur policia përmes një komunikate të saj njoftoi arrestimin e të miturit.

“Më datë 17 gusht 2016, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Xh., vjeç 16, banues në fshatin Sharrë”, lajmëroi dje Policia. Sipas saj, i riu është arrestuar pasi te shkolla 9- vjeçare “Shyqyri Peza” u kap në momentin që po merrte shumën e 200.000 lekëve në formën e kërcënimit (gjobëvënës) shtetasit Resmi M., vjeç 55, banues në Vaqar, drejtor i kësaj shkolle 9- vjeçare.

Policia ka bërë me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy celularët që mbaheshin me vete nga 16-vjeçari. Arrestimi i 16-vjeçarit është bërë mbi bazën e hetimit të nisur pas kallëzimit të drejtorit të shkollës Resmi M.

Ai ka thënë në polici se nga disa persona në rrjetet sociale i kanë shkuar mesazhe me përmbajtje “Ti je zemra ime”.

Më pas i njëjti person i ka kërkuar 20.000 lekë të rinj dhe një stekë paketa cigareje në këmbim të mospublikimit të disa SMS-ve, që pretendohej se zotëroheshin nga kërcënuesi. Më pas drejtori i ka lënë një pako te roja i shkollës “Shyqyri Peza”. Pikërisht në këto çaste, kur i riu ka shkuar ta merrte pakon, ai ka rënë në prangat e policisë.

KONFLIKTI

Autori i gjobëvënës duket se ka pasur një konflikt më të hershëm me drejtorin e shkollës. Mësohet se ky i fundit prej katër vitesh ishte drejtor i shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza” në Kombinat.

Rreth një vit më parë, tre djem të shkollës i kishin dëmtuar makinën. Drejtori ka thënë se mes këtyre djemve ishte edhe shtetasi A.Xh., autori i gjobëvënës tashmë i arrestuar. Pas dëmtimit të makinës, drejtori i shkollës ka rënë dakord me prindërit e tre djemve të mos bënte denoncim në polici, në mënyrë që ata t’i paguanin dëmin e makinës.

Kështu ka ndodhur dhe më pas, drejtori i shkollës apo vetë nxënësit, nuk kanë pasur më shqetësime.

MESAZHET KËRCËNUESE

Sipas Policisë, në datën 12 gusht 2016 drejtorit të shkollës dikush i ka shkruar në rrjetet sociale se “Të kam parë me zysh …. duke shkuar te moteli im dy ditë rresht dhe që të mos flas dua 200 mijë lekë”.

Pikërisht pas këtij momenti mësohet se drejtori i shkollës ka bërë denoncim në polici dhe pasi ka kontaktuar me personin që po i shkruante mesazhe, ka bërë siç kërkonte ai duke dërguar një stekë me cigare te shkolla dhe ka vendosur t’i linte te shkolla “Shyqyri Peza”, ku 16-vjeçari u arrestua nga policia.

Duket se deri në këtë kohë, drejtori i shkollës nuk ka ditur asgjë në lidhje me personin që po i bënte kërcënime. Ndërsa vetë drejtori i shkollës ka qenë në polici duke dhënë shpjegime, forcat e rendit kanë dërguar në komisariat të riun e arrestuar. Pikërisht në këtë moment, mësohet se drejtori i shkollës Resmi M. ka arritur të njihte të riun, që kishte qenë nxënës në shkollën ku edhe ka ndodhur ngjarja. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat