Fluks pacientësh edhe në qendrat shëndetësore të zonave malore

Shqipëria

Fluks pacientësh edhe në qendrat shëndetësore të zonave malore

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 19:09
Qendra Shëndetësore e Valbonës

Fluksi i pacientëve që i janë drejtuar Qendrave Shëndetësore të ngritura posaçërisht në zonat turistike nuk ka qenë vetëm në bregdet, por edhe në zonat malore.

Ky fakt është pohuar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të kryer në Qendrën Shëndetësore të Valbonës.

Kreu i Shëndetësisë ka pohuar se ndihma mjekësore e ofruar në kohë reale për pushuesit e huaj dhe ata vendas ka qenë e menjëhershme dhe profesionale.

Beqaj: “Diçka më shumë se në 8 javë në këtë Qendër Shëndetësore kanë marrë shërbim shëndetësor 1275 persona, çka do të thotë se mysafirët që po i bashkohen çdo vit e më tepër Valbonës, po shijojnë bukuritë që Zoti i ka falur kësaj zone, por edhe falë investimeve të bëra në infrastrukturë, kjo zonë sot është shumë më tepër e vizitueshme”.

Mjekët e kësaj qendre shëndetësore kanë pohuar se problematikat më të shpeshta të hasura tek pacentët kanë qenë për shkak të ndryshimit të kushteve klimaterike.

Omela Matoshi: “Rastet kanë qenë të shumta, hipertensioni kryesisht tek moshat e rritura, kurse tek mosha pediatrike, predominojnë virozat, ftohjet, bronkopneumonitë, të cilat janë si shkak i ndryshimit të klimës. Përveç këtyre, raste të shpeshta janë edhe gastroenteritet, reaksionet alergjike nga ushqimi apo pickimi i insekteve”.

Raportohet se rreth 18% e vizitave të realizuara deri më sot që nga koha e fillimit të punës së kësaj qendre shëndetësore në 15 qershor, janë pushues të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë pikën turistike malore të Valbonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat