PD: Në Dibër kërcënohen mësuesit, Nikolla: Shpifje, iku koha juaj!

Shqipëria

PD: Në Dibër kërcënohen mësuesit, Nikolla: Shpifje, iku koha juaj!

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 14:26
Drin Gjeci dhe Lindita Nikolla

PD denoncoi sot drejtorin e Arsimit në Dibër, Drin Gjecin, i cili sipas selisë blu bën presion dhe kërcënon mësuesit me largim nga puna nëse nuk votojnë kandidatin e Partinë Socialiste.

Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat Gent Strazimiri, u shpreh se 300 mësues janë kërcënuar, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet mbi rastin në fjalë.

"Spikat së fundmi, drejtori i Arsimit në Dibër, Drin Gjeci, i cili thërret arsimtarët në zyrë, duke i kërcënuar me njoftime për largim nga puna, nëse nuk votojnë kandidatin e qeverisë. Janë rreth 300 arsimtarë të kërcënuar deri tani. E njëjta metodë u përdor edhe në zgjedhjet e 2015, ku mësuesit u shantazhuan me vendin e punës, me bukën e gojës për të dhënë votën për qeverinë. Ky mercenar i Edi Ramës në Dibër, jo vetëm u ka marrë para mësuesve për t’i futur në punë, dhe për këtë ekzistojnë edhe video, por tani ju kërkon edhe votën që të qëndrojnë në punë. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë drejtor të korruptuar që kërcënon qytetarët me vendin e punës, në këmbim të votës”, tha Strazimiri.

Nuk ka vonuar kundërpërgjigjja e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila i deklaroi se akuzat janë tërësisht të pavërteta. Nikolla theksoi se ka ikur koha kur mësuesit kërcënoheshin për votën dhe shkollat përdoreshin si garnizone elektorale nga partia në pushtet,

“E vajtueshme politika e shpifjeve që në përditshmërinë e saj, sot zgjodhi të sulmonte Drejtorinë Arsimore Dibër nga selia e Partisë Demokratike në Tiranë. Tërësisht e pavërtetë akuza se janë kërcënuar mësuesit për arsye të votimit të 11 shtatorit për Bashkinë e Dibrës. Fatmirësisht koha kur mësuesit kërcënoheshin për votën dhe shkollat përdoreshin si garnizone elektorale nga partia në pushtet, ka perënduar bashkë me pushtetin e Partisë Demokratike. Nëse Partia Demokratike po përgatit bazën e vet të tkurrur elektorale për humbjen në Bashkinë e Dibrës, arsimtarët po përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor dhe këto janë dy axhenda krejt pa lidhje me njëra-tjetrën. Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore s’kanë asnjë lidhje me fushatën e Dibrës apo me dëshpërimin e vazhdueshëm të Partisë Demokratike”, u shpreh Nikolla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat