Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati çel ditën e bashkëpunimit ekonomik në Kinë

Shqipëria

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati çel ditën e bashkëpunimit ekonomik në Kinë

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 10:48
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës me ftesë të Ministrit kinez të Punëve të Jashtme Wang Yi, çeli, dje, në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Pekin, Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik “Shqipëri – Kinë, miqësi e vjetër, partneritete të reja”, në të cilin merrnin pjesë sipërmarrje të mëdha kineze që operojnë tashmë ose kanë shprehur interesin e tyre për t’u futur në tregun shqiptar.

Promovimi i Shqipërisë si një vend që ofron mundësi të shumta për aktorët ekonomikë kinezë është një nga objektivat kryesore të vizitës së Ministrit Bushati në Kinë. Takimi me bizneset kineze, në të cilin mori pjesë edhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, ishte një mundësi për të diskutuar mbi transformimin e rëndësishëm ekonomik të vendit tonë, përpjekjet e realizuara deri më tani për stimulimin e sektorëve prioritarë si turizmi, bujqësia, manifaktura dhe energjia, si edhe hartimin e legjislacionit favorizues për investimet në sektorët strategjikë.

“Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive – theksoi Ministri Bushati në fjalën e tij – jemi të vetëdijshëm se ekonomitë e vendeve si Shqipëria janë ekonomi me tregje të vogla dhe si të tilla e kanë të vështirë të konkurrojnë të vetme në tregjet rajonale e ato globale. Në këtë kontekst, unë mund t’ju them se edhe në kuadër të një procesi shumë të fuqishëm në të cilat janë kyçur vendet e Ballkanit Perëndimor, siç njihet ndryshe procesi i Berlinit, iniciativë e Kancelares Merkel për të grupuar së bashku 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, sot ne kemi rënë dakord për një hartë lidhëse të të gjithë rajonit dhe e kemi të qartë se si duket dhe si do të jetë rajoni ynë deri në vitin 2020 – 2030 nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë. Këtu i referohem korridoreve qendrore të infrastrukturës që do të lidhin portet, aeroportet dhe pikat kryesore të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor” – u shpreh Ministri Bushati.

Më tej, Ministri Bushati u ndal në projektet strategjike për Shqipërinë dhe ftoi sipërmarrjet kineze të marrin pjesë, në kuadër edhe të Nismës Kinë – Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore 16+1, në projekte si përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane, e quajtur ndryshe “Korridori Blu”, i cili do t’i jepte një dimension të rëndësishëm unazës së turizmit mesdhetar dhe zhvillimi i rrjetit hekurudhor, projekte që do të afronin distancat mes vendeve dhe lehtësonin të bërit biznes, duke grupuar ekonomitë e rajonit në një të vetme.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, në fjalën e tij, u ndal tek klima e të bërit biznes në Shqipëri dhe sa tërheqëse është ajo për investitorët e huaj duke nënvizuar reformat ligjore, rregullatore dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. Ai e vuri theksin tek ligji për investimet strategjike, reforma fiskale dhe tarifat e ulëta për bizneset, si edhe qëndrueshmëria ligjore, e cila sjell besimin e investitorëve.

Në përfundim të takimit, në mjediset e Ambasadës së RSH-së në Pekin u çel ekspozita fotografike “#ColoursofAlbania (Ngjyrat e Shqipërisë), si një rast shumë i mirë për të promovuar bukuritë natyrore, traditat, ngjyrat dhe mundësitë turistike që ofron Shqipëria.

Gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Kinë, Ministri i Jashtëm Bushati zhvilloi një vizitë në Tianjin, një prej qyteteve metropolitane në bregun verior të Kinës dhe një prej 5 qyteteve qendrore kombëtare të saj, ku u takua me autoritetet më të larta të qeverisjes vendore. Në bisedën me zv. Kryetarin e Bashkisë së qytetit Zhao Haishan u shkëmbyen mendime se si mund të intensifikohet më tej bashkëpunimi në nivel lokal mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë dhe vlerën e shtuar që binjakëzimet kanë në këtë drejtim.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron vizituan edhe Zonën e Zhvillimit të Teknologjisë së Lartë të Tianjin-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat