Opozita braktis Kuvendin, mazhoranca miraton ligjin për Vettingun

Shqipëria

Opozita braktis Kuvendin, mazhoranca miraton ligjin për Vettingun

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 19:38
Kuvendi i Shqipërisë

Pas largimit të opozitës nga Kuvendi, mazhoranca ka miratuar me 88 vota pro dhe 1 abstenim ligjin për Vettingun.

Opozita është mjaftuar me dy orë diskutime në seancën plenare për ligjin e vettingut që të lërë sallën e parlamentit.

Seanca nisi punimet në orën 17:30 dhe deputetët e opozitës lanë Kuvendin në 19:16, pas përfundimit të fjalës së deputetit Eduard Halimi

Deputeti demokrat që lajmëroi largimin e opozitës nga Parlamenti, deklaroi se nuk mund të bëheshin pjesë e një procesi të kapjes politike të sistemit të drejtësisë.

Ai tha se nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga mazhoranca në lidhje me diskutimet parimore, sipas tij, të kësaj çështjeje.

Halimi: Meqënëse edhe gjatë kësaj kohe nuk morëm asnjë përgjigje as nga grupi parlamentar i LSI-së dhe Partisë Socialiste në lidhje me zhvillimin e këtij procesi që diskutonte këto çështje tërësisht parimore, që nuk lidhen me qëndrimet e opozitës sot, por edhe të opozitës nesër që procesi i Vettingut të jetë tërësisht në shinat kushtetuese. Duke mos marrë përgjigje nuk do të jemi pjesë e një procesi që ka synim kapjen politike, ka synim dështimin e reformës.

Opozita do të ndjekë çdo rrugë në mbrojtje të Kushtetutës së 21 korrikut për një reformë në drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj Kushtetuese dhe standardeve të mira. Ne po largohemi!

Diskutimet dhe akuzat mes palëve nuk kanë munguar.

Berisha tha se po cenohet konsensusi i arritur me miratimin e Kushtetutës së re, ndërsa Rama përjashtoi mundësinë e një konsensusi allashqiptarçe.

Ndërkaq kreu i Kuvendit tha se ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të votohet sot dhe se opozita nuk ka arsye për të mos e votuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat