Organizata Politike kërkon dorëheqjen e Veliajt për vdekjen e Arditit

Shqipëria

Organizata Politike kërkon dorëheqjen e Veliajt për vdekjen e Arditit

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 20:12
Pamje nga protesta

Duke protestuar përpara Bashkisë së Tiranës të martën, dhjetëra aktivistë të Organizatës Politike kërkuan vënien përpara drejtësisë të fajtorëve të vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, ndërsa drejtuan gishtin e përgjegjësisë ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Autor: Ivana Dervishi | BIRN | Tiranë

Dhjetëra aktivistë të Organizatës Politike protestuan të martën përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar përgjegjësi penale për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën më 7 gusht gjatë punës në të zezë dhe jashtë kushteve të sigurisë në landfillin e Sharrës.

Protestuesit mbanin në duar pankarta si “Ne nuk heshtim për Arditin”, “Jo skllavërisë” dhe “E vrau pronari dhe kryetari”.  Ata kërkuan përgjegjësi penale për shkaktarët e vdekjes së 17-vjeçarit Gjoklaj, dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ndalimin e të ashtuquajturave partneritete publik-privat.

“Ardit Gjoklajn nuk e vrau kova e një traktori. Arditin e vrau makineria private e shtetit; e vrau shteti në bashkëpunim me pronarin. Ne nuk mund të heshtim. Ne kërkojmë përgjegjësi penale dhe drejtësi shoqërore”, thanë aktivistët përpara Bashkisë.

“[Kërkojmë] përgjegjësi penale për ata që duhet të merreshin me kontrollin e kushteve të sigurisë në punë: pronari i firmës, titullarët e bashkisë dhe inspektoratit të punës…” shtuan ata.

Protestuesit u përplasën gjithashtu me policinë bashkiake teksa u përpoqën të zhvendosnin një kosh plehrash drejt hyrjes së institucionit lokal, si simbol i përfshirjes së bashkisë në skandalin e landfillit të Sharrës.

“Vdekja e Arditit është vdekje e çdo fëmije shqiptari që do të dalë nga varfëria,”tha aktivisti i Organizatës Politike, Klodi Leka.

“Landfilli i Sharrës është kthyer në një varr masiv për Tiranën… Ne nuk mund të lejojmë që shoqëria ta normalizojë vdekjen në punë dhe ne nuk do të reshtim së protestuari derisa çdo institucion të mësohet me dhënien e llogarisë,” shtoi ai.

Protestuesit fajësuan kontratat abuzuese të qeverisë me kompanitë private dhe mungesën e sindikatave si shkaktare të shkeljes së të drejtave të punëtorëve në mjedisin e punës.

“Arditët po i vret pronari, por po i vret edhe varfëria, qeveria dhe kushtet e mjerueshme të punës. Ne kërkojmë përgjegjësi penale”, tha Jani Marka aktivist i OP.

“Qeveria duhet të mundësoi hapjen e fabrikave që aktivistët të mund të shohin gjendjen e punës së punëtorëve dhe t’i ndihmojnë ata të organizohen”, shtoi ai.

Ardit Gjoklaj humbi jetën më 7 gusht, ndërsa punonte në turnin e natës në impiantin e seleksionimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, të ndërtuar aty nga kompania “3R” shpk e Edurim Teqes. Sipas hetimeve të policisë, 17 vjeçari i punësuar në mënyrë të paligjshme nga kompania është goditur për vdekje nga një ekskavator, ndërsa seleksiononte shishe plastike në orët e natës dhe në një mot të keq.

Pas ngjarjes, policia arrestoi 4 punonjës të kompanisë “3R” shpk, ndërkohë që administratori i saj Teqja, i cili mbante edhe postin e kryetarit të PS në Peqin u shpall në kërkim, por nuk është ndaluar ende sot e kësaj dite.

Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se kompania “3R” shpk kishte instaluar impiantin e saj në landfillin e Sharrës  në shkurt 2016 dhe punësoi mbi 200 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. Sipas dëshmive të punonjësve, kompania i rekrutoi ata në të zezë, ndërsa nuk përmbushi kushtet minimale të sigurisë në punë.

Bashkia e Tiranës reagoi 18 ditë pas vdekjes tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj duke shmangur përgjegjësitë nga vetja dhe duke ia transferuar ato kompanisë së kontraktuar prej saj për shkeljen e rregullave ndërsa tha se po ofron ndihmë për një hetim të plotë të ngjarjes.

Aktivistët e Organizatës Politike, një organizatë me pikëpamje të skajit të majtë që kërkon fuqizimin e punëtorëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, paralajmëruan përshkallëzimin e protestave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat