Lufta kundër drogës, Rama: DASH konstaton avancim mbresëlënës

Shqipëria

Lufta kundër drogës, Rama: DASH konstaton avancim mbresëlënës

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 16:35
Edi Rama

Mazhoranca dhe opozita u përplasën sot ashpër në Kuvend, pas lajmit për rrëzimin e një avioni të vogël, me pilot italian në zonën e Ishmit, për të cilin opozita pretendonte se ishte i ngarkuar me hashash.

Tensioni mes palëve u përshkallëzua veçanërisht kur në foltore u ngjit kryeministri Edi Rama, i cili në fillim të fjalës së tij iu referua ish-kryeministrit Berisha, duke i sjellë në vëmendje ngjarjen e Gërdecit, e ekranizuar së fundi me prodhimin hollivudian “War Dogs”.

“Sali, të përgëzoj që arrite të bëheshe frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që zyrën e avokatisë që ke ta vësh në përdorim për të drejtat e autorit, sepse pa ty filmi “War Dogs” nuk do të ishte bërë nga Hollivudi”, iu drejtua Rama Berishës.

Fjalët e tij shkaktuan reagimin e ashpër të deputetit Flamur Noka, i cili u vendos para foltores, duke i kërkuar kryeministrit që të kërkojë falje për fjalorin e përdorur ndaj Berishës. Acarimi i situatës e detyroi kryeparlamentarin që të ndërpresë për disa çaste punimet e seancës.
Me rifillimin e saj, kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të PD-së për gjoja “ndikimin e narkotikëve në zgjedhjet e Dibrës”.

“Për një muaj rresht PD, e cila u nis për në Dibër njësoj si ajo armata që shkoi drejt Vaterlosë, nuk pa dhe nuk tregoi jo më një parcelë, por asnjë gjethe kanabisi, ashtu sikundër PD-së dua t’i kujtoj se e shpalli fitoren kur u mbyllën kutitë e votimit dhe përmes zonjës Tabaku na bëri thirrje që të pranojmë rezultatin. Pra, Saliu dhe të gjithë bashkë kapen si i mbyturi pas gjethes së kanabisit kur thonë, se ne e dinim që kështu do të ndodhte”, u shpreh Rama.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës se raportet e shërbimeve policore të vendeve të tjera kritikojnë qeverinë, sa i takon trafikut të drogës.

“Departamenti Amerikan i Shtetit thotë diçka tjetër nga ajo që thoni ju për luftën kundër kanabisit dhe DASH nuk e thotë me një deklaratë spontane, por me tre raporte rresht në 2013-n, 2014-n dhe 2015-n. Për vitet 2014 dhe 2015, DASH-i thotë se shteti shqiptar ka bërë një avancim mbresëlënës në luftën kundër drogës”, u shpreh Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat