Tahiri mbështet deklaratat e Metës për kanabisin dhe thekson raportet e huaja: Luftë me rezultate

Shqipëria

Tahiri mbështet deklaratat e Metës për kanabisin dhe thekson raportet e huaja: Luftë me rezultate

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 15:21
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar pas deklaratave të kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili tha nga Korça se duhet që politika të ketë një vendim unanim për fenomenin e kanabisit dhe duhen dëgjuar edhe ndërkombëtarët.

Në një postim në facebook, Tahiri thotë se ndan plotësisht opinionin e Metës, duke akuzuar PD se po i shmanget së vërtetës.

“E ndaj plotësisht opinionin e kryetarit të Kuvendit që kanabisi nuk luftohet duke iu shmangur të vërtetës, gjë që Partia Demokratike po e bën fatkeqësisht çdo ditë! Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013, nga një qeveri e polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë, dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit! Ndërsa kush çuditet pafajësisht sot nga ky fenomen, është viktimë e asaj politike të vjetër që i shmangej përpalljes me fenomenin duke e mbajtur jashtë vëmendjes së opinionit e të mediave!”, deklaron Tahiri.

Nga ana tjetër ministri i brendshëm i kujton raportet e DASH dhe Guardia di Finanza kryeparlamentarit, sipas të cilave, ka rezultate mresëlënëse në luftën kundër drogës.
“Ilir Meta ka shume të drejtë kur thotë se duhen dëgjuar edhe ndërkombëtarët. Kanë folur shumë qartë për vite me radhë, ndaj sot është inkurajim i madh çdo germë e raporteve të Departamentit të Shtetit dhe Gurdia di Finanza-s të cilat e kanë cilësuar luftën tonë të tanishme shumë shkoqur; ‘rezultate mbresëlënëse, falë angazhimit të lidershipit politik’”, shprehet Tahiri.

Ai theksoi se kjo është një luftë larg fitores por me rezultate që nuk imagjinoheshin para 3 viteve.

“Natyrisht që kjo është një luftë që është larg së qeni e fituar, por siç do të tregojnë faktet e shifrat që kemi bërë publike e do bëjmë në vazhdim së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, është një luftë me rezultate që deri përpara tre vitesh as që mund të parafytyroheshin”, shkruan Tahiri.

Meta tha sot nga Korça se e ardhmja e Shqipërisë është turizmi dhe bujqësia e jo Cannabisi dhe se politika duhet të marrë një vendim e nuk duhet t’i shmange.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat