Nishani niset për në OKB, vizita edhe në Uashington e Çikago

Shqipëria

Nishani niset për në OKB, vizita edhe në Uashington e Çikago

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 09:48
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të zhvillohet në Nju-Jork. Sipas njoftimit zyrtar, në këtë veprimtari të rëndësishme botërore të diskutimit të çështjeve dhe problemeve më të mprehta të kohës, si ato të lidhura me paqen dhe sigurinë globale, krizën e refugjatëve dhe migracionin, përmirësimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, autoritete të tjera të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizmave ndërkombëtare.

Gjatë debatit të përgjithshëm të Sesionit të 71-të, Kreu i Shtetit shqiptar do të mbajë një fjalë duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e më pas do të marrë pjesë në Ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe do të diskutojë edhe në segmentin e Nivelit të Lartë të AP-së në kuadër të 30-vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.

Presidenti Nishani do të bashkëdrejtojë me zv/presidentin e Komisionit Evropian, Frans Timermans, Tryezën e Rrumbullakët të Diskutimit të Takimit të Nivelit të Lartë mbi ndarjen të bashkuar të përgjegjësisë globale për refugjatët dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Gjithashtu Presidenti i Republikës është i ftuar dhe do të marrë pjesë në punimet e sesionit plenar të Takimit Vjetor 2016 të Nismës Globale Klinton ku do të diskutohet për “Partneritetin e Begatisë Globale”. Presidenti Nishani do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington D. C., ku do të ketë edhe takime të rëndësishme me personalitete dhe figura politike të zgjedhura në nivel vendor dhe kombëtar, si dhe do të vizitojë Memorialin kushtuar viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Pentagon.

Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës në Shtetet e Bashkuara do të përmbyllet në qytetin e Çikagos, ku do të marrë pjesë në veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore në kuadër të thellimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve të gjithanshme historike dhe strategjike shqiptaro-amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat