BB: Qeveria të gjejë paratë për rritjen e pagave e pensioneve

Shqipëria

BB: Qeveria të gjejë paratë për rritjen e pagave e pensioneve

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 12:17
Ellen Goldstein,

Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të forcohet në vitin 2016, duke i hapur rrugën rritjes së punësimit dhe uljes së varfërisë. Kjo u evidentua sot gjatë prezantimit të numrit më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore (RRrEEJL), nga Zyra e Bankës Botërore (BB) në Tiranë. Raporti citon se, “rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2016 pritet të jetë 3.2 përqind, krahasuar me nivelin 2.8 përqind në 2015, dhe të arrijë në 3.5 përqind në 2018”.

Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor gjatë prezantimit të raportit ekonomik për EJ nëpërmjet një video-lidhje nga Zyra e Bankës Botërore në Sarajevë, tha se, “konsolidimi i rritjes ekonomike po ndihmon në rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë në rajon”. Sipas saj, rigjallërimi i konsumit dhe investimet private të mbështetura nga projekte madhore në sektorin e energjisë pritet të udhëheqin rimëkëmbjen ekonomike në Shqipëri, duke kontribuar në 2/3 e saj përgjatë periudhës 2016-2018.

Klima në Shqipëri

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, mbi klimën e biznesit në vendin tonë, Tahseen Sayed, përfaqësuese e përhershme e BB në Tiranë, u shpreh se, Shqipëria shihet si vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj, por duhet të bëhet më shumë për të krijuar një mjedis të mirë për tërheqjen e investitorëve. Sipas saj, ekonomia shqiptare ka performancë pozitive, por paqëndrueshmëria politike mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë.

“Ekonomia shqiptare mund të ndikohet nga situata në vendet fqinje. Shqetësimet mund të vijnë edhe nga Turqia për shkak të lidhjeve tregtare”, deklaroi Sayed. Duke u ndalur në rritjen e pagave dhe pensioneve, Sayed tha se, “përsa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve vitin e ardhshëm, qeveria të gjejë mundësinë përmes administrimit fiskal e rritjes së të ardhurave”.

Tahseen Sayed ka komentuar edhe debatin e fortë për koncesionin e Rrugës së Kombit, duke deklaruar se nuk mund të ndërhyjë mes institucioneve shqiptare. “Nuk mund të ndërhyjmë mes institucioneve shqiptare për përplasjen mbi koncesionin e Rrugës së Kombit. I takon ta zgjidhin ministria e Transporteve dhe Komisioni i Prokurimeve Publike. Presim përfundimin e procedurës së apelimit nga ministria”, tha përfaqësuese e përhershme e BB.

Sayed e quajti “incident fatkeq” dhunën ndaj investitorit libanez, ndërsa vuri në dukje se, Shqipëria duhet të marrë masa për të përmirësuar klimën.

Raporti i Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore prezantohet dy herë në vit nga stafi i ekonomistëve në Praktikën Globale për Makroekonomi dhe Menaxhimin Fiskal të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat