AKU parlajmëron bizneset për bllokim aktiviteti, vendos 2.3 milionë lekë gjoba

Shqipëria

AKU parlajmëron bizneset për bllokim aktiviteti, vendos 2.3 milionë lekë gjoba

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 13:05
Ilustrim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer inspektime në 3 tregjet ushqimore kryesore në Tiranë, (në Kombinat, Ish-Uzinën “Dinamo” dhe atë  Agro-Ushqimorë në rrugën Tiranë-Durrës), dhe për mos plotësim të  kushteve higjeno-sanitare, ka gjobitur subjektet në vlerën e 2,3 milionë lekëve, deri në paralajmërime për bllokim aktiviteti.

Në një njoftim për shtyp, AKU bën të ditur se, inspektorët kanë konstatuar se, shumica e subjekteve tregtonin produkte, djath, peshk, gjalp, gjizë, ullinj, mish etj, duke mos plotësuar kushtet higjeno-sanitare.

Inspektorët e Drejotrisë Rajopnale të AKU-së Tiranë kanë vendosur gjoba për 10 subjekte. Gjithashtu këto biznese janë paralajmëruar për bllokim të produkteve, nëse do të konstatohet se, i tregtojnë përsëri ato, në ambjentet jashtë biznesit.

Sipas AKU-së, në Tregun e Kombinatit, 3 subjekte janë gjobitur me 700.000 lekë gjithësej. Në Tregun në hyrje të ish-Uzinës “Dinamo”, 4 subjekte janë gjobitur me 750.000 lekë gjithësej. Në Tregun Agro Ushqimor në rrugën Tiranë-Durrës, 3 subjekte janë gjobitur me 900.000 lekë gjithësej.

Gjobat që ka vendosur Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit në vetëm një ditë, kapin shifrën e 2.350.000 lekë.

Sipas AKU-se, gjobë deri në 300.000 lekë janë vendosur për subjektet që produktet gjiza e djath i shisnin në rrugë.

Ky aksion, fillimisht është kundërshtuar nga tregtarët, por më pas shumica prej tyre kanë pranuar se nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare.

Inspektimet e AKU-së, kanë për qëllim ndërgjgjësimin e operatorëve të biznesit ushqimor, për të tregtuar produktet ushqimore, ashtu siç parashikon ligji dhe heqjen nga tregu të çdo lloj ushqimi që mund të përbëjë rrezik për konsumatorët.

AKU po kryen kontrolle edhe në tregje të tjerë te vendit, për të parë nëse plotësojnë kushtet higjeno-sanitare. Ndërsa i bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi me ushqimet, në tregje dhe nëpër biznese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat