Korçë, pranga 3 personave, kapen me 27 klandestinë

Shqipëria

Korçë, pranga 3 personave, kapen me 27 klandestinë

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 09:07
Ilustrim

Policia e Korçës ka prangosur 3 persona të cilët akuzohen se kundrejt shpërblimit do të ndihmonin  27 shtetas të huaj,  për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në prangat e policisë së Korçës kanë rënë Leonard Jaçellari, 28 vjeç, banues në fshatin Hudënisht-Pogradec,  Vasil Kuburja, 47 vjeç, banues në Elbasan dhe Arsen Çekiçi, 44 vjeç,  banues në fshatin Buçimas-Pogradec.

Të tre personat e mësipërm janë kapur në flagrancë në aksin rrugor Korçë-Pogradec pranë vendit të quajtur "Kryqëzimi i Vërdovës", duke transportuar me automjetet e tyre,  27 shtetas të huaj (klandestinë) me kombësi siriane, irakene dhe sudaneze,  të cilët vinin nga një kamp i qytetit të Selanikut/Greqi dhe kishin kaluar ilegalisht kufirin e  gjelbër drejt tokës shqiptare.

Tre të lartpërmendurit, i'u kishin premtuar shtetasve të huaj, se do t'i ndihmonin këta të fundit, për të shkuar drejt vendeve të BE-së, duke kaluar nëpërmjet territorit shqiptar,  kundrejt shumës prej 1200 Euro për personat e rritur dhe 600  Euro për fëmijët.

Pas përfundimit të veprimeve proceduriale si edhe intervistimit të tyre, 27 shtetasit e  huaj (midis tyre 12 fëmijë të mitur) janë transportuar drejt Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, në Babrru.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, dy prej të cilave tip "Ford" me targa AA 370 IR dhe  AA 622 MY, automjeti tip "Mercedes-Benz" me targa TR 3127 T si dhe 4 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale: "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat